Nga Syri Tv
Tregu i fruta-perimeve në Lushnjë është përfshirë nga flakët gjatë natës. Si pasojë e materialit të përdorur për ndërtimin e tij, flakët janë përhapur me shpejtësi, duke djegur një pjesë të tezgave të disa tregtarëve ambulantë së bashku me produktet që tregtonin.
Si pasojë, një pjesë e tregtarëve kanë pësuar një dëm të madh ekonomik. Të paktën 25 prej tyre kanë humbur të gjithë investimin dhe mallin që shisnin në këtë treg, ndërsa kërkojnë dëmshpërblim nga bashkia.
Kanë qenë banorët e zonës ata që kanë pikasur zjarrin gjatë orës 03:00 të natës, duke lajmëruar menjëherë forcat zjarrfikëse, të cilat kanë bërë të mundur izolimin e vatrës, duke shmangur djegien totale të tregut, pasi mbulesa e stabilimentit është plastike.
Tregu i fruta-perimeve në Lushnjë është rikonstruktuar 3 vite më parë. Policia po punon për zbardhjen e shkakut të zjarrit, ndërkohë po hetohet nëse ka qenë aksidental apo i qëllimshëm.
Edhe deputeti i PD-së, Sajmir Korreshi, u ka kërkuar autoriteteve zbardhjen e shkaqeve të zjarrit, ndërsa kërkoi që tregtarët e dëmtuar të dëmshpërblehen.
© SYRI.net