Banorët e Fushë-Mamurrasit ngrenë shqetësimin për rrugën drejt lumit Droje, kërkojnë ndërhyrje urgjente

11:35, 15/05/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Në pjesën fundore të Fushë-Mamurrasit, pranë lumit Droje, banorët po përballen prej vitesh me mungesë të theksuar të infrastrukturës rrugore, e cila sipas tyre po ua vështirëson ndjeshëm jetesën e përditshme.

Rruga kryesore e zonës ndodhet në gjendje të amortizuar, e mbushur me gropa dhe baltë, duke krijuar vështirësi të vazhdueshme si për automjetet, ashtu edhe për këmbësorët. Banorët thonë se gjatë reshjeve situata përkeqësohet edhe më shumë, duke e bërë thuajse të pamundur qarkullimin normal.

Sipas tyre, prej vitesh nuk është ndërmarrë asnjë ndërhyrje konkrete për rikonstruksionin e rrugës. Ata shprehen se institucionet lokale kujtohen për gjendjen e zonës vetëm gjatë periudhave zgjedhore, ndërsa më pas çdo premtim mbetet i parealizuar.

“Edhe në këmbë po të ecësh përfundon në gropa,” – shprehen banorët, të cilët shtojnë se dëmtimet e automjeteve janë të shumta për shkak të amortizimit të rrugës.

Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet përgjegjëse për sistemimin e infrastrukturës, duke theksuar se situata po bëhet çdo ditë e më problematike për komunitetin që jeton në zonë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco