Lajmi i fundit

LIVE/ Dita e 27-të e protestës qytetare: Edi Rama jepe dorëheqjen

'Qershitë e Drenovës drejt zhdukjes në Mallakastër'/ Fermerët: Ndryshimet klimatike po shkatërrojnë prodhimin

10:56, 12/05/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Prodhimi i qershive karakteristike të Drenovës në Mallakastër po shkon drejt zhdukjes. Banorët e fshatit thonë se vitet e fundit temperaturat e larta kanë ndikuar ndjeshëm në uljen e prodhimit, duke sjellë tharjen e shumë drurëve dhe braktisjen graduale të kësaj kulture tradicionale.

Sipas fermerëve, një pjesë e mirë e banorëve po i shkulin drurët e qershive dhe po i zëvendësojnë me ullinj, pasi kultivimi i ullirit kërkon më pak punë dhe është më i përballueshëm në kushtet aktuale. Ndërsa qershia e Drenovës kërkon angazhim të madh në një periudhë të shkurtër kohe, mungesa e fuqisë punëtore dhe shpopullimi i zonës po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë mirëmbajtjen e plantacioneve.

Banorët tregojnë se prodhimi ka rënë ndjeshëm gjatë tre viteve të fundit. Nëse dikur një pemë çershie prodhonte deri në 1.5 apo 2 kuintalë fruta, sot në shumë raste mezi mblidhen 5 kilogramë qershi.

Megjithatë, ka ende fermerë që vazhdojnë të mos heqin dorë nga kjo kulturë tradicionale. Njëri prej tyre është Festim Hasanbasha, i cili prej më shumë se 20 vitesh kultivon rreth 700 rrënjë qershi të Drenovës.

Sipas tij, edhe tre vëllezërit e tij kanë plantacione me 800 deri në 1000 drurë çershie.

“Kjo ka qenë baza e ekonomisë së familjes sonë”, shprehet ai, ndërsa shton se pavarësisht rënies së prodhimit vitet e fundit, do të vazhdojnë ende ta kultivojnë këtë frut derisa të binden plotësisht nëse ia vlen apo jo të mbahet më kjo kulturë.

Fermerët fajësojnë kryesisht ndryshimet klimatike dhe rritjen e temperaturave, të cilat sipas tyre kanë ndikuar drejtpërdrejt në dëmtimin e drurëve dhe uljen drastike të prodhimit të qershive të Drenovës.

Kjo zonë dikur ka patur hektarë të tëra me drurë frutorë e kryesishtë qershi dhe në Ballsh ka patur dhe fabrikë të përpunimit e konservimit të frutave që tashmë nuk ekziston më.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco