Korça nderon trashëgiminë Rumune: Ekspozitë për Ditën e Rumunëve të Ballkanit

Korça nderon trashëgiminë Rumune: Ekspozitë për Ditën e Rumunëve të Ballkanit

16:12, 10/05/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

 Në kuadër të 10 Majit, Ditës së Rumunëve të Ballkanit, në Korçë u organizua një ekspozitë kulturore në bashkëpunim me Institutin Kulturor Rumun. Ngjarja mblodhi studiues, përfaqësues të kulturës dhe anëtarë të komunitetit arumun, duke vënë në fokus historinë dhe trashëgiminë e popullsive rumunofone në Ballkan.

Profesoresha e Akademisë së Shkencave të Rumanisë, Manuela Navaçi, theksoi rëndësinë e kësaj date për arumunët, meglenorumunët dhe rumunët lindorë. “10 Maji simbolizon lidhjen historike dhe kulturore mes komuniteteve rumune të Jugut dhe Veriut të Ballkanit,” u shpreh ajo.

Kjo datë lidhet me vitin 1905, kur Sulltan Abdul Hamidi II njohu zyrtarisht rumunët e Ballkanit si një komunitet më vete, duke u dhënë të drejtën për të hapur shkolla dhe kisha në gjuhën e tyre, si dhe për të zgjedhur përfaqësues vendorë.

Organizatorët e ekspozitës nënvizuan se 10 Maji mbetet një simbol i ruajtjes së identitetit, gjuhës dhe traditave të komuniteteve rumunofone dhe shprehën dëshirën që kjo ditë të kthehet në një festë tradicionale vjetore edhe për qytetin e Korçës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco