SYRI TV/ Qindra fermerë në Lushnje nuk mund të ujisin tokat, kanali ujitës është bllokuar

13:38, 05/05/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Qindra fermerë që kanë tokat përbri autostradës Rrogozhinë-Lushnje, prej 35 vitesh nuk ujisin dot tokat e tyre, pasi kanali ujitës që vjen nga ujëmbledhësi i Thanës është bllokuar dhe dëmtuar. Gjithashtu edhe kanalet vaditëse përbri parcelave nuk kanë asnjë pikë ujë dhe janë mbuluar nga mbeturinat. Fermerët bëjën thirrje të zgjidhet ky problem pasi ujitja është e domosdoshme gjatë stinës së nxehtë.

Qindra fermerë të fshatrave Konjat, Gramsh, Zhamë fshat dhe Zhamë sektor që disponojnë rreth 800 hektarë në zonën fushore përbri autostradës Rrogozhinë – Lushnje, prej 35 vitesh nuk ujisin dot tokat e tyre. Kanali ujitës që vjen nga ujëmbledhësi i Thanës përcjell ujë deri në rrethrrotullimin e Grabjanit, pasi më tej është bllokuar dhe dëmtuar që prej ndërtimit të autostradës. Në këtë periudhë më të domosdoshme e kanë ujitjen kultura e lulediellit, misrit dhe kulturat foragjere. Kanali kryesor dhe kanalet vaditëse përbri parcelave nuk kanë asnjë pikë ujë dhe janë mbuluar nga mbeturinat dhe bimësia e egër.

Fermerët e zonës si shpëtim të vetëm gjatë periudhës së pranverës dhe verës së nxehtë, kanë rënien e reshjeve ku probabiliteti për prodhim është pothuajse zero.

Për këtë shqetësim të fermerëve, përgjegjësi i degës së bordit të kullimit Lushnje u shpreh se janë në dijeni të situatës dhe është paraqitur një projekt në ministrinë e bujqësisë, i cili është në fazën e studimit të fizibilitetit e më pas do të fillojnë punimet, por pa një datë ekzakte se kur do të ujiten këto toka. Deri atëherë, fermerët në të shumtën e viteve bujqësore nuk marrin as 1/4 e prodhimit të planifikuar.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco