Divorci po konsiderohet gjithnjë e më shumë si një zgjidhje e menjëhershme për problemet në çift, një tendencë që po bëhet gjithnjë e më e dukshme në shoqërinë shqiptare.
E ftuar në studion e “Kafe Shqeto” në Syri TV, Besmira Lahi, psikologe, u shpreh se shpesh marrëdhëniet nuk janë domosdoshmërisht të konsumuara, por të dëmtuara nga faktorë të përditshëm dhe të menaxhueshëm, si mungesa e komunikimit, ngarkesat e jetës, vështirësitë ekonomike dhe presionet sociale.
Ajo theksoi se, ndonëse vihet re një rritje e rasteve kur gratë po iniciojnë divorcin, kjo lidhet me një kompleks faktorësh dhe nuk duhet parë si një fenomen i thjeshtuar.
Sipas saj, përpara se të merret vendimi për ndarje, është e rëndësishme të kuptohet se martesa kërkon investim të vazhdueshëm dhe se ndikimi i rrjeteve sociale po krijon shpesh pritshmëri të rreme, duke ndikuar negativisht në perceptimin e realitetit dhe në qëndrueshmërinë e marrëdhënieve.
Pjesë nga deklarata:
Nga përvoja ime si psikologe kliniciste, vërej që divorci shpeshherë shihet si një zgjidhje e menjëhershme. Mendohet se marrëdhënia është konsumuar në çift, se nuk ka më dashuri mes partnerëve, kur në fakt marrëdhënia mund të jetë pak e dëmtuar nga një komunikim i ndërprerë, nga një rutinë ditore me ngarkesa shumë të mëdha, nga mosplotësimi i nevojave të njëri-tjetrit, nga mungesa e mbështetjes sociale apo nga vështirësi financiare, të cilat trazojnë edhe familjet shqiptare. Shpesh shihet si një zgjidhje e parë, e menjëhershme, por që sigurisht ka mundësi shumë më të shëndetshme për ta rikonsideruar dhe rivitalizuar martesën, në krahasim me zgjidhjen e menjëhershme që është divorci.
Nga përvoja ime, por edhe në bazë të studimeve empirike, vërehet një shtim i rasteve kur divorcet po iniciohen nga gratë. Kjo është një e dhënë që përbën një trend jo vetëm për vendin tonë, por në të gjithë Evropën.
Nuk do ta konsideroja në këtë mënyrë, por gratë, për nga vetë natyra dhe rolet që mbajnë, marrin përsipër përgjegjësi të shumta. Presionet janë, por martesa perceptohet si një bashkim i dy njerëzve të cilët janë të pjekur, të matur dhe angazhohen në një marrëdhënie të qëndrueshme, e cila duhet ushqyer vazhdimisht. Ajo kërkon investim të vazhdueshëm, komunikim, dëgjim aktiv dhe plotësim të nevojave emocionale e fizike, në mënyrë që kënaqësia martesore të jetë e qëndrueshme apo edhe të rigjallërohet.
Martesa kërkon investim të vazhdueshëm dhe nuk duhet parë si një standard me të cilin mund të krahasohet një martesë apo një jetë që paraqitet si e gatshme përmes mediave sociale. Patjetër që rrjetet sociale tashmë përbëjnë një formë presioni shumë negativ, i cili rëndon në psikologjinë, pra në mendimet, emocionet dhe sjelljet e të gjithë njerëzve që janë përdorues të tyre. Por pritet që përballë këtyre rrjeteve sociale të kemi konsumatorë që nuk janë vetëm të ndjeshëm për ta marrë dhe vlerësuar situatën ashtu siç shitet, por që kuptojnë se pas çdo imazhi të shitur ka edhe një qëllim.
Sot vërej që njerëzit të cilët përdorin më shumë rrjetet sociale dhe kalojnë më shumë kohë në to, janë shpesh persona që përballen me problematika të shëndetit psikologjik dhe mendor. Ekspozimi i vazhdueshëm ndaj këtyre rrjeteve jo vetëm që rëndon shëndetin mendor, por i bën ata të besojnë se realiteti është ai që paraqitet përmes mediave sociale. Kjo nuk i lejon të kuptojnë se ekziston një hendek i madh mes qëllimit për të shitur një imazh dhe asaj që është në të vërtetë.
© SYRI.net