Në Durrës, familja Ndreca prej nëntë muajsh përballet me një realitet të vështirë jetese, pa energji elektrike dhe pa furnizim me ujë.
Nikolin Ndreca, 75 vjeç, tregon se jeton së bashku me bashkëshorten dhe djalin në një kontenier të ndërtuar në një truall që e ka blerë që në vitet ’90, por pa dokumentacion të rregullt. Për shkak të kushteve të vështira ekonomike, kjo ka qenë zgjidhja e vetme për strehim.
Megjithatë, edhe pse kanë kaluar nëntë muaj që nga ndërtimi i kontenierit, familja ende nuk ka mundur të sigurojë lidhjen me rrjetin e energjisë elektrike dhe ujësjellësin. Në mungesë të tyre, ata detyrohen të përdorin qirinj për ndriçim, ndërsa për ujin ndezin zjarr në oborr dhe e ziejnë në kushte primitive për nevoja bazë si larja.
“Është shumë e vështirë të jetosh kështu. Kemi trokitur në dyert e çdo institucioni për ndihmë, por na kërkojnë leje legalizimi. Ku ta gjej unë? Këtu nuk funksionon asgjë,” shprehet kryefamiljari.
Apeli i familjes Ndreca i drejtohet institucioneve përgjegjëse si OSHEE dhe Ujësjellës Kanalizime Durrës, nga të cilat kërkojnë lidhjen me energjinë dhe ujin, duke u zotuar se do t’i paguajnë rregullisht faturat.
Ndër të tjera, Ndreca shpreh edhe shqetësimin se trajtimi i kërkesës së tij mund të jetë ndikuar nga bindjet politike, një pretendim që mbetet për t’u verifikuar.
Historia e kësaj familjeje hedh dritë mbi vështirësitë me të cilat përballen shumë qytetarë në kushte të ngjashme, ku mungesa e dokumentacionit dhe procedurat burokratike i lënë jashtë shërbimeve bazë jetike.
© SYRI.net