Epitafi kremtohet në të gjithë vendin: Ritet mbushin qytetet me atmosferë në prag të Pashkëve

20:19, 10/04/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Në të Premten e Madhe, besimtarët ortodoksë në disa qytete të Shqipërisë morën pjesë në ceremoninë tradicionale të daljes së Epitafit, një nga ritin më të rëndësishëm të Javës së Madhe që paraprin Pashkët.

Në Tiranë, ceremonia u zhvillua në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”, ku besimtarët u bashkuan në procesionin solemn, duke shprehur përkushtim dhe lutje në kujtim të vuajtjeve dhe sakrificës së Krishtit. Atmosfera u karakterizua nga himne kishtare dhe prani e madhe qytetarësh.

Edhe në Vlorë, qindra besimtarë u mblodhën për të ndjekur ritin e shenjtë të Epitafit, i cili u shoqërua nga klerikët dhe besimtarët në një procesion në rrugët e qytetit. Policia ishte e pranishme për të siguruar mbarëvajtjen e aktivitetit dhe lehtësimin e qarkullimit.

Në Korçë, ceremonia mori një karakter të veçantë, pasi në sheshin qendror përpara Katedrales u vendosën epitafet e disa kishave të qytetit, duke krijuar një atmosferë të bashkuar lutjeje. Procesioni, i drejtuar nga klerikët, përshkoi rrugët kryesore të qytetit me ndalesa lutjeje.

Në Fier, besimtarët u mblodhën në kishën “Shën Gjergji”, ku pas meshës morën pjesë në procesionin tradicional në rrugët e qytetit, duke ruajtur traditën e përvitshme të kësaj dite të shenjtë.

Ndërkohë, në Zvërnec, banorët dhe besimtarët ortodoksë u bashkuan në një ceremoni të qetë dhe solemne, duke ndjekur procesionin e Epitafit në një atmosferë përkushtimi dhe lutjeje.

Kjo ditë, e njohur si e Premtja e Zezë, mbetet një nga momentet më të rëndësishme të kalendarit liturgjik ortodoks, duke bashkuar komunitetet në të gjithë vendin në shenjë përkujtimi, shprese dhe besimi.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco