Rreth 50 biznese të veshjeve në zonën e tregut maqedonas në Korçë janë përballur me një aksion të policisë bashkiake, duke shkaktuar shqetësim dhe pasiguri te tregtarët.
Aksioni është ndërmarrë një ditë më parë, kur efektivët u kanë kërkuar bizneseve të heqin menjëherë mallrat e ekspozuara jashtë dhe çdo element të vendosur në fasadat e dyqaneve.
Sipas tregtarëve, ndërhyrja është bërë pa asnjë njoftim paraprak apo dokument zyrtar, si dhe pa një afat të qartë për zbatimin e kërkesave.
Këto biznese, të cilat operojnë prej më shumë se 20 vitesh në këtë zonë, e konsiderojnë situatën të vështirë, veçanërisht në prag të festës së Pashkës, një periudhë që zakonisht shoqërohet me rritje të shitjeve.
Heqja e mallrave nga ambientet e jashtme pritet të ndikojë drejtpërdrejt në xhiron ditore, pasi sipas tyre ekspozimi jashtë dyqaneve është mënyra kryesore për të tërhequr klientë, sidomos në një zonë me qarkullim të kufizuar.
Tregtarët paralajmërojnë se mosrespektimi i urdhrit mund të sjellë gjoba, çka i vendos përballë një presioni të shtuar financiar.
Në këto kushte, një pjesë e tyre shprehen se rrezikojnë të mbyllin aktivitetin, ndërsa të tjerë e shohin si të vetmen zgjidhje largimin nga vendi për shkak të mungesës së alternativave të punësimit.
Deri më tani, nuk ka një reagim zyrtar nga institucionet përgjegjëse lidhur me këtë aksion dhe pretendimet e ngritura nga bizneset ndërsa bizneset kanë shkuar pranë ketij institicioni për të diskutuar.
© SYRI.net