Fondacioni 'Fëmijët Shqiptarë' organizoi një konferencë për autizmin ku u bënë bashkë mjekë, terapistë e prindër që ndanë eksperiencat e tyre. Presidentja e Fondacionit dr. Liri Berisha, u ndal në rritjen e numrit të fëmijëve me çrregullime të spektrit autik, teksa theksoi se përmes fondacionit janë ndihmuar qindra fëmijë me këto çrregullime dhe nuk do të reshtet së ofruari ndihmë për ta. Në konferencë u përcollën edhe mesazhe të rëndësishme nga mjekë e terapistë që ishin të pranishëm.
Syri tv
Në kuadër të Muajit të ndërgjegjësimit ndaj Autizmit Fondacioni “Fëmijët Shqiptarë” organizoi në qytetin e Kavajës konferencën “Autizmi 2026”, që bëri bashkë kontributin e ekspertëve të shëndetit, duke ofruar një pasqyrë më të gjerë e të përditësuar mbi çrregullimet e spektrit të autizmit nga mosha e zhvillimit deri tek ajo adulte, nga një këndvështrim multidispilinar. Presidentja e Fondacionit dr. Liri Berisha, u ndal në rritjen e numrit të fëmijëve me çrregullime të spektrit autik, ndërsa vlerësoi se gjatë këtyre viteve është bërë progres sa i takon ndërgjegjësimit, megjithatë ende ka punë për të bërë në këtë drejtim. Ajo theksoi se gjatë këtyre viteve Qendra për Autizmin u ka ardhur në ndihmë qindra fëmijëve me këto çrregullime dhe nuk do të reshtet së ofruari ndihmë për ta.
Kontributi i Fondacionit për fëmijët me spektër autik u vlerësua edhe nga kryetari i Bashkisë së Kavajës, z. Fisnik Qosja, i cili foli edhe për rëndësinë e gjithëpërfshirjes në shoqëri të individëve me këtë çrregullim.
Në konferencë u përcollën edhe mesazhe të rëndësishme nga personalitetet e pranishëm, mjekë e terapistë. Eksperienca e gjatë dhe e vyer e Dr. Ariel Çomo, e ka njohur atë me raste nga më të ndryshmet. Si Drejtues Klinik pranë Qendrës Rajonale për Autizmin, ai ndau me të pranishmit mësime të vyera për atë çfarë dihet e nuk dihet mbi autizmin.
Mesazhe me interes mbi zhvillimin e komunikimit dhe ndërveprimit me fëmijët që në moshë të hershme, u përcollën nga Spiro Saqellari, Logoped pranë Qendrës Rajonale të Autizmit.
Shërbimet terapeutike në Qendrën Rajonale të Autizmit nga vlerësimi tek terapia e fëmijëve dhe trajtimi i prindërve, u sollën në vëmendje nga Juliana Esaj, Drejtuese Klinike e Qendrës.
Ndërsa drejtuesja e çerdheve dhe qendrës ditore “Ngjyrat e Jetës” në Kavajë, Romina Kala foli mbi rëndësinë e qendrave të specializuara për këta fëmijë.
Çrregullimi i spektrit të autizmit është një nga çrregullimet neurologjike më serioze të moshës së zhvillimit. Përllogaritja e prevalencës së saj është rritur me kalimin e kohës dhe rreth 1 në 36 fëmijë është identifikuar me çrregullim të spektrit të autizmit sipas vlerësimeve të Rrjetit të Monitorimit të Autizmit dhe Paaftësive Mendore të CDC-së. Relevanca e autizmit nga këndvështrimi epidemiologjik dhe ndikimi i tij në kujdesin shëndetësor kërkon përkushtimin e një numri të lartë mjekësh, nga diagnostikimi i hershëm deri në menaxhimin aftësues. Ndër vite “Fondacioni Fëmijët Shqiptarë” i është bashkuar kauzës për integrimin dhe angazhimin në shoqëri të fëmijëve me çrregullime të spektrit autik.
© SYRI.net