Gazetarja Esmeralda Keta ka ngritur shqetësimin për situatën e fermerëve në vend përmes një statusi në rrjetet sociale, ku evidenton diferencën e madhe mes çmimit që merr prodhuesi dhe atij që paguan konsumatori final.
Sipas saj, një fermer ka shitur një arkë me luleshtrydhe në një pikë grumbullimi me vetëm 5 mijë lekë të vjetra. Ndërkohë, e njëjta arkë përmban mesatarisht 10 kuti, të cilat më pas dalin në treg për konsumatorin me çmime nga 1500 deri në 2000 lekë të vjetra për kuti, duke e çuar vlerën totale deri në rreth 20 mijë lekë.
Keta thekson se kjo do të thotë që fermeri përfiton vetëm një të katërtën e çmimit final, ndërsa pjesa tjetër ndahet mes grumbulluesve dhe tregtarëve të shumicës e pakicës.
Në reagimin e saj, ajo vë në dukje edhe mungesën e mbështetjes për sektorin këtë vit, duke përmendur heqjen e subvencioneve për serat. “Kërbaçi i bujqësisë është shumë i rëndë për t’u mbajtur vetëm nga fermeri”, shprehet ajo, duke ngritur shqetësimin për pasojat që kjo situatë sjell në prodhimin vendas.
Në përfundim, gazetarja nënvizon se kjo është një nga arsyet pse tregu vendas përballet me mungesë produktesh lokale, duke e lidhur drejtpërdrejt me vështirësitë ekonomike të fermerëve.
Postimi i plotë:
Kërbaçi i bujqësisë
Një arkë me luleshtrydhe, dje, një fermer e shiti në pikën e grumbullimit me 5 mijë lekë të vjetra. (Foto nr.1).
Kjo arkë ka mesatarisht 10 kuti (foto nr.2), e cila i shitet konsumatorit final me një çmimin prej 1500-2000 lekë (të vjetra), në total 20 mijë lekë.
Pra fermeri që e punon token, qe shpenzon mund, para dhe djersë duke u kujdesur për prodhimin merr vetëm ¼ e çmimit, ndërkohë që ¾ e cmimit ndahet mes grumbulluesit, tregtarit të shumicës dhe tregtarit të pakicës. Ndërkohë që këtë vit është hequr mbështetja për serat. “
Kërbaçi i bujqësisë” është shumë i rëndë për ta mbajtur vetëm fermeri…dhe pastaj ankohemi përse nuk ka produkte vendi!
© SYRI.net