Fermerët në Myzeqe po përballen me vështirësi të shumta këtë sezon bujqësor. Ditët e para të prillit, falë kushteve atmosferike dhe tokësore, kërkojnë impenjim të madh në mbjelljen e kulturave kryesore si misri dhe luledielli.
Sipas fermerëve lokalë, çmimet e larta të naftës, rritja e kostos së plehrave dhe punimeve të ndryshme, së bashku me mungesën reale të subvencioneve nga shteti, rrezikojnë t’i çojnë ata drejt falimentimit.
Fermerët theksojnë se mungesa e subvencioneve reale dhe burokracia e ndërlikuar për plotësimin e kushteve, që në praktikë nuk mund të realizohen, do të çojë në braktisjen e tokave bujqësore. Aktualisht, mbi 60% e tokave janë djerrë dhe të papunuara.
Në këtë kontekst, prodhimi nga kulturat e mbjella do të kushtojë të paktën 40% më shumë për fermerët që kanë investuar, ndërsa shitjet e tyre mbeten të kufizuara nga produktet e importit, që shpesh janë shumë më të lira se ato të prodhuara në vend.
© SYRI.net