Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shqiptar ka protestuar këtë të enjte para Ministrisë së Arsimit, duke shprehur pakënaqësinë ndaj udhëzimit që u pamundëson futjen në procesin e kualifikimit mësuesve të vjetër, pasi u kërkohet t’i nënshtrohen provimit të licencës. Ata kërkojnë marrjen e masave të menjëhershme për shfuqizimin e tij; në të kundërt, protestat do të vijojnë.
Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shqiptar ka protestuar këtë të enjte para Ministrisë së Arsimit në lidhje me penalizimin që po u bëhet mësuesve të vjetër, të cilëve u kërkohet t’i nënshtrohen provimit të licencës.
Një udhëzim i miratuar vitin e kaluar u pamundëson futjen në procesin e kualifikimit qindra mësuesve të punësuar pas vitit 2011 dhe që kanë përfunduar arsimin para këtij viti. Sindikata ka shprehur kundërshtimin ndaj kësaj kërkese dhe, duke iu referuar ligjit “Për profesionet e rregulluara”, thekson se zbatimi i tij nuk duhet të injorojë përvojën dhe kualifikimet e mësuesve të vjetër.
Përmes këtij udhëzimi administrativ po u mohohet e drejta e kualifikimit qindra mësuesve që kanë përfunduar studimet në profilin “Mësues” dhe janë kualifikuar ndër vite me kategori profesionale si “Mësues i kualifikuar” dhe “Specialist”. Ata kërkojnë marrjen e masave të menjëhershme për shfuqizimin e tij; në të kundërt, protestat do të vijojnë.
© SYRI.net