Në fshatra po zhduken bagëtitë për shkak të largimit të të rinjve dhe mungesës së kushteve apo ndihmës nga qeveria. Dy barinjtë e mbetur në Petresh të Elbasanit shprehen se kostot janë të larta dhe mungesa e ndihmës nga qeveria, si dhe importi i mishit nga jashtë, ka ulur mbarështimin e bagëtive.
Barinjtë e fundit të mbetur në zonë, Baki Gjokpali 70 vjeç dhe Ismail Mema 65 vjeç, tregojnë për Syri Tv se në fshat kanë qenë mbi 500 krerë bagëti dhe tanimë janë zhdukur, duke mbetur rreth 50.
Shkaku kryesor, sipas tyre, është largimi i të rinjve dhe kostot e larta që janë të papërballueshme për xhepat e familjeve.
Shteti, për ta, është inekzistent dhe nuk i ka mbështetur kurrë në mënyrë që të stimulojë mbarështimin e bagëtive në zonë. Ata shprehen se dëmi më i madh është shkaktuar nga importi i mishit nga vendet fqinje.
Edhe barinjtë e fundit të mbetur në zonë tregojnë se do të heqin dorë, pasi nuk kanë më mundësi financiare për të rritur bagëtitë.
© SYRI.net