Nga Jonny Thomson/
Përrallat europiane shpesh përqendrohen rreth tri ngjyrave: të kuqes, të zezës dhe të bardhës. Borëbardha ka lëkurë të bardhë si bora, buzë të kuqe si gjaku dhe flokë të zinj si ebani. Në përrallën e vëllezërve Grim "Hansi i hekurt", një djalë i ri hipën mbi tre kuaj në tri beteja, një të kuq, një të zi dhe një të bardhë. Në tregimin nordik "Tatterhood", një lule e kuqe dhe një lule e bardhë rriten pranë njëra-tjetrës në tokën e errët.
Këtë javë, për rubrikën Mini Philosophy, intervistova mitologun dhe tregimtarin Martin Shou. Libri i tij i ri, Liturgies of the Wild, argumenton se tregimet popullore dhe mitet mund të na ndihmojnë të kuptojmë veten dhe jetën në përgjithësi. Sipas tij, këto tri ngjyra përbëjnë një hartë të pjekurisë njerëzore.
Ngjyrat përfaqësojnë tri mënyra të të qenit. Secila ka dhuratën dhe anën e saj të errët. Secila lidhet natyrshëm me një fazë të jetës, edhe pse ne mund të kalojmë nga njëra tek tjetra sipas asaj që përjetojmë. Dhe, sipas Shout, shumica prej nesh kanë mungesë në njërën prej tyre pa e kuptuar.
E kuqja
E kuqja është ambicia. Është energjia jetësore, egoja, dëshira dhe guximi për të dalë përtej rehatisë. Është ajo që Niçe e quante "vullneti për pushtet", por në formë përralle. Ka diçka rinore dhe adoleshente në të.
Në formën e saj më të mirë, e Kuqja është energjike, vendimtare dhe këmbëngulëse. Në formën më të keqe, është naive, kokëfortë dhe e pamatur. E kuqja nuk dyshon, ajo vepron. Dhe pa të, shumë pak gjëra do të realizoheshin në këtë botë.
Siç thotë Shou:"Është e kuqja që të shtyn përpara, të jep guxim të marrësh një qëndrim dhe të vendosësh kufij. Ajo të lejon të ëndërrosh madhështor, të mbledhësh valixhen dhe të nisësh një aventurë. Një person në fazën e Kuqe nuk paralizohet nga dyshimi, por vepron me vendosmëri për të ecur përpara."
Por ana e errët është e parashikueshme. Një jetë e mbushur me arrogancë, agresivitet dhe konkurrencë të vazhdueshme shteron shpejt. Mjafton një humbje e madhe që e kuqja të errësohet. Disa beteja nuk mund të fitohen.
Problemi më i thellë është se e kuqja, kur nuk kontrollohet, nuk lë hapësirë për të tjerët. Ajo nuk vëren nevojat e njerëzve përreth.
Në legjendën mesjetare të Gralit, një kalorës i ri, Parzivali, trim dhe plot energji të kuqe, arrin në kështjellën e mbretit Peshkatar, i cili vuan nga një plagë që nuk shërohet. Të gjithë presin që dikush ta pyesë thjesht: çfarë të dhemb? Parzival sheh vuajtjen, ha darkën, fle dhe largohet pa thënë asnjë fjalë. Ai nuk dështon nga mizoria, por sepse nuk ka vuajtur kurrë vetë. Pyetja "Çfarë të dhemb?" as që i shkon në mendje.
Për këtë duhet të vijë më parë e zeza.
E zeza
E zeza është dështimi që të ndryshon, rënia, cenueshmëria, melankolia dhe dyshimi në vetvete. Nëse e kuqja i përket rinisë, e zeza zakonisht shfaqet në moshën e mesme, shpesh pa paralajmërim.
Ajo vjen kur rruga e së kuqes mbaron: kur një marrëdhënie përplaset me mur, kur puna të zbraz shpirtërisht, ose kur depresioni ia zbeh ngjyrat botës.
E zeza nuk është aq emocionuese sa e kuqja, por është e pashmangshme. Megjithatë, kultura jonë, që lavdëron ambicien dhe suksesin, pothuajse nuk ka fjalë për ta përshkruar.
Shou shkruan:"Pa të zezën nuk kemi çfarë të themi për mbytjet e anijeve, stuhitë apo humbjen në mjegull. Pa të zezën kemi inteligjencë, por jo mençuri të vërtetë. Nëse mëson si ta përballosh të zezën, mund të bëhesh i urtë; nëse jo, mund të bëhesh thellësisht i hidhur."
Vuajtja nuk të bën automatikisht të mençur. Ajo mund të të bëjë më të urtë ose më të hidhur, gjithçka varet nga mënyra si e përballon. Një pjesë e madhe e industrisë së vetë-ndihmës përpiqet t'i nxjerrë njerëzit shpejt nga kjo fazë, para se ajo të ketë bërë punën e saj.
E bardha
E bardha është ajo që Aristoteli e quante phronesis, mençuri praktike që fitohet vetëm duke jetuar. Ajo nuk e mohon as të kuqen dhe as të zezën; i bashkon të dyja dhe i përdor për diçka më të madhe se vetja.
Nëse e kuqja thotë "Unë mundem" dhe e zeza thotë "Ndoshta nuk mundem", e bardha pyet: "Çfarë të duhet?"
Është aftësia për të parë një situatë dhe për të ditur çfarë është e drejtë të bëhet. Ndonjëherë duhet forca e së kuqes, ndonjëherë dorëzimi i së zezës.
Siç thotë Shou:"E bardha është toka e çmuar e pjekurisë, aftësia për të bekuar, për të ngritur dhe inkurajuar të tjerët. Nuk është nevojtare. Është burim që jep vazhdimisht. Nuk kapet pas gjërave, nuk është as e hidhur as tepër e ëmbël; sheh qartë dhe larg."
Sipas Shout, kultura jonë e vlerëson mjaft mirë të kuqen dhe të bardhën, por nuk di çfarë të bëjë me të zezën. Ne duam që udhëheqësit të kalojnë drejtpërdrejt nga ambicia rinore në urtësinë e pleqërisë, pa kaluar kurrë përmes errësirës së përvojës. Nuk dimë të vajtojmë publikisht. Nuk flasim mirë për dështimin. Ecim drejt fundit tonë pa e kuptuar plotësisht.
Shumica e njerëzve mund ta dallojnë lehtë në cilën ngjyrë ndodhet jeta e tyre tani, dhe cilën po shmangin. Një jetë e plotë përfshin të zezën po aq sa të kuqen dhe të bardhën.
Në legjendën eGralit, Parzivali kthehet më në fund në kështjellën e mbretit Peshkatar, vite më vonë, pasi ka përjetuar vetë dështim dhe dhimbje. Këtë herë ai e bën pyetjen: "Çfarë të dhemb?" Plaga shërohet. Mbretëria rikthehet. Por u desh një jetë e tërë mes së kuqes dhe së zezës që kjo të bëhej e mundur. /Big Think – Syri.net
© SYRI.net