Depozitimi dhe më pas djegia e mbetjeve të ndryshme, që nga gomat e makinave deri te pjesë automjetesh të amortizuara, e kanë kthyer zonën e Fushë-Milotit në Kurbin në një zonë me ndotje tepër të madhe. Kryesisht këto mbetje depozitohen në brigjet e Lumit Mat, ndërkohë që ndotja për shkak të djegies së tyre arrin deri në territorin e bashkisë Lezhë
Syri TV
Shtjellat e dendura të tymit që u panë të shtunën mbi zonën e Fushë-Milotit në Kurbin, duke përfshirë edhe një pjesë të superstradës Lezhë–Laç, nxorën në pah një problem që përsëritet prej kohësh në këtë zonë. Brigjet e Lumit Mat janë shndërruar në një vend ku hidhen mbetje të ndryshme, nga pjesë automjetesh të amortizuara deri te materiale dhe pajisje shtëpiake. Pasi depozitohen në këtë zonë, mbetjeve shpesh u vihet flaka, duke krijuar re të mëdha tymi dhe ndotje të konsiderueshme të ajrit në një hapësirë të gjerë, në kufirin mes bashkive Lezhë dhe Kurbin. Sipas specialistëve të mjedisit, kjo situatë vazhdon prej vitesh dhe lidhet me mungesën e kontrollit dhe ndërhyrjes nga institucionet përgjegjëse.
Ndërkohë, për djegien e gomave dhe pjesëve të tjera të automjeteve pranë urës mbi lumin Mat, policia bëri të ditur të dielën se ka nisur hetimet për të identifikuar autorët e zjarrvënës. Djegia e mbetjeve krijoi një ndotje të fortë të ajrit, ndërsa tymi i dendur mbuloi të gjithë zonën përreth.
© SYRI.net