Gjirokastra feston sot karnavalet, ringjallet tradita e qytetit

Gjirokastra feston sot karnavalet, ringjallet tradita e qytetit

15:28, 13/03/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Gjirokastra festoi sot karnavalet, një traditë e lashtë që çel aktivitetet kulturore për Ditën e Verës. Parada shumëngjyrëshe e fëmijëve të shkollave solli atmosferë festive në rrugët e qytetit, ndërsa dhjetëra qytetarë dhe turistë ndoqën me entuziazëm kortezhin në zonën historike.

Fëmijët, të veshur me kostume të ndryshme dhe personazhe fantazie, parakaluan nëpër qytet duke i dhënë një nuancë të veçantë pranverore. Festimet do të vijojnë edhe gjatë mbrëmjes, ku aktivitetet pritet të kulmojnë me djegien e dordolecit, simbol i largimit të dimrit dhe ardhjes së pranverës.

Karnavalet e Gjirokastrës, të njohura edhe si Festa e Prosopullave, dokumentohen që në fillim të shekullit XX dhe lidhen me ritualet popullore të zgjimit të natyrës. Pas një ndërprerjeje gjatë periudhës së diktaturës, këto karnavale u rikthyen pas rreth 60–70 vitesh, duke u shndërruar sot në një aktivitet kulturor që gjallëron jetën artistike të qytetit dhe tërheq vizitorë në prag të sezonit turistik.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco