Shkarkimet nga hidrocentralet/ Hapen portat në kaskadën e Drinit, përmbytet Shkodra

08:21, 17/02/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Prefektura e Qarkut Shkodër ka informuar mbi përkeqësimin e situatës si pasojë e reshjeve intensive dhe rritjes së prurjeve në kaskadën e lumit Drin gjatë 24 orëve të fundit.

Sipas njoftimit, Korporata Elektroenergjike Shqiptare (KESH) ka nisur shkarkimet e kontrolluara nga hidrocentralet e Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës.

Që prej pasdites së djeshme është konstatuar rritje e niveleve të lumenjve Drin dhe Bunë, si dhe të Liqenit të Shkodrës.

Në zonën e Obotit ka prezencë uji kryesisht në tokat bujqësore, duke zgjeruar sipërfaqen e përmbytur.

Probleme paraqiten edhe në infrastrukturë. Aksi rrugor lidhës i fshatit Obot me rrugën kryesore ka prezencë uji rreth 40–50 cm, duke vështirësuar qarkullimin e mjeteve të vogla.

Situata mbetet problematike edhe në akset malore. Rruga Bogë–Theth vijon të ndikohet nga reshje intensive bore, ndërsa Qafa e Thorës është e bllokuar në zonën e tuneleve për shkak të orteqeve.

Në aksin Hani i Hotit–Vermosh ka reshje të dendura dëbore mbi kuotën 1000 metra dhe qarkullimi kryhet vetëm me goma dimërore dhe me asistencë të mjeteve borëpastruese.

Nga bashkitë Malësi e Madhe, Vau i Dejës, Pukë dhe Fushë-Arrëz nuk raportohen problematika deri në këto momente.

Njoftimi i plotë:

Datë: 17 Shkurt 2026 | Ora: 07:30

Prefektura e Qarkut informon mbi situatën aktuale në territorin e Shkodër dhe njësitë përreth, si pasojë e reshjeve dhe prurjeve të shtuara në kaskadën e Drinit gjatë 24 orëve të fundit.
Korporata Elektroenergjike Shqiptare (KESH) ka njoftuar se pas monitorimit të afërt dhe vlerësimit pêr administrimin e prurjeve, kanë nisur shkarkimet e kontrolluara nga hidrocentralet në kaskadën e lumit Drin: Fierzë, Koman dhe Vau i Dejës.
Që prej orëve të pasdites se djeshme është konstatuar rritje e niveleve të lumenjve Drin dhe Bunë, si dhe të Liqenit të Shkodrës. 
Në zonën e Obotit është evidentuar prezencë uji kryesisht në tokat bujqësore, duke zgjeruar sipërfaqen e përmbytur, pa rrezik për banesat deri në këto momente.
Aksi rrugor lidhës i fshatit me rrugën kryesore paraqet prezencë uji rreth 40–50 cm, duke vështirësuar kalimin për mjetet e vogla.
Në terren ndodhen 2 mjete të kalueshmërisë së lartë dhe 10 efektivë të Forcat e Armatosura, në gatishmëri të plotë për çdo nevojë emergjente.
Situata në akset rrugore malore:
Aksi Bogë – Theth vijon të ndikohet nga reshje intensive bore; Qafa e Thorës mbetet e bllokuar në zonën e tuneleve për shkak të orteqeve. Po punohet me mjete borëpastruese për hapjen e rrugës.
Në aksin Hani i Hotit – Vermosh ka reshje të dendura dëbore mbi kuotën 1000 m; qarkullimi kryhet vetëm me goma dimërore dhe me asistencë të mjeteve borëpastruese.
Nga bashkitë Malësi e Madhe, Vau i Dejës, Pukë dhe  Fushë-Arrëz nuk raportohen problematika.
Strukturat e mbrojtjes civile dhe institucionet vendore vijojnë monitorimin në terren dhe mbeten në gatishmëri për çdo zhvillim të situatës, duke garantuar koordinim të plotë për sigurinë e qytetarëve.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco