Të dhënat e fundit të Eurostat tregojnë se qytetarët e Shqipërisë kalojnë mesatarisht mbi 43 orë në javë në vendin e punës. Kjo është shifra më e lartë në Europë, por fatura më e rëndë po paguhet në aspektin social dhe psikologjik, pasi kjo sasi orësh përkthehet në një lodhje masive sociale dhe jo në pasuri.
SYRI TV
Shqiptarët janë zyrtarisht populli që punon më shumë në Europë, por kjo sasi orësh përkthehet në një lodhje masive sociale, dhe jo në pasuri. Sipas të dhënave të Eurostat, qytetarët e Shqipërisë kalojnë mesatarisht mbi 43 orë në javë në vendin e punës, shkojnë herët, kthehen vonë dhe shpesh, e diela nuk është ditë pushimi.
Kjo është shifra më e lartë në kontinent, duke lënë pas me një diferencë të thellë mesataren e Bashkimit Europian, e cila është 36 orë në javë. Por përtej statistikave ekonomike, fatura më e rëndë po paguhet në aspektin social dhe psikologjik, ku raportohet një rritje shqetësuese e asaj që njihet si sindroma e burnout, apo djegies profesionale.
Kjo lodhje kronike vjen si pasojë jo vetëm e orarit të zgjatur, por edhe e pasigurisë në punë, presioneve për të mbajtur pozicionin dhe pagave që shpesh nuk mbulojnë kostot bazë të jetesës, duke i detyruar shumë individë të bëjnë dy punë. Ndikimi vihet re edhe në strukturën fammiljare ku sipas studimeve sociale del në pah se koha cilësore që prindërit kalojnë me fëmijët është reduktuar në mënyrë drastike. Lodhja fizike dhe mendore i lë individët pa energji për socializim, për aktivitete kulturore apo rekreative. Kjo mungesë e balancës mes jetës dhe punës po krijon një shoqëri më të izoluar, më pak tolerante dhe me një nivel të lartë stresi të përditshëm.
Institucionet ndërkombëtare, si Organizata Ndërkombëtare e Punës, kanë theksuar vazhdimisht se orët e gjata nuk sjellin domosdoshmërisht produktivitet më të lartë, por shtojnë rrezikun e aksidenteve në punë dhe rënies së performances. Ndaj sfida e vërtetë për shoqërinë është ndërtimi i një tregu që respekton kohën dhe mirëqenien e individit.
© SYRI.net