Mes maleve të ashpra të Gorës, disa kilometra larg zonës së banuar të fshatit Cërnalevë, katër shtëpi të familjes së madhe Hysenaj vijojnë të ndriçohen edhe sot nga një burim energjie i pazakontë: një mini-central elektrik artizanal, i ndërtuar më shumë se katër dekada më parë.
Vepra mban firmën e Selman Hysenajt, sot 74 vjeç, kryefamiljari që nuk pranoi të mbetej në errësirë. Gjatë viteve të diktaturës, shtëpitë e Hysenajve mbetën të izoluara nga fshati.
Të ndërtuara larg qendrës së Cërnalevës, ato nuk u lidhën kurrë me rrjetin elektrik shtetëror, pavarësisht kërkesave të shumta drejtuar institucioneve të kohës.
Familja iu drejtua autoriteteve lokale, strukturave qendrore dhe, sipas rrëfimit të vetë Selmanit, deri edhe udhëheqësit komunist Enver Hoxha, por përgjigjja nuk erdhi kurrë.
I lodhur nga pritja dhe i bindur se shteti nuk do t’i vinte në ndihmë, në vitin 1981 Selman Hysenaj mori një vendim që do të shënonte historinë e familjes së tij: me mjete të thjeshta, dije praktike dhe shumë këmbëngulje, ai ndërtoi një mini-central elektrik të vogël duke shfrytëzuar ujin e malit. Ishte një zgjidhje e lindur nga nevoja, por edhe nga një frymë e fortë vetëmbështetjeje, në një kohë kur mungesa e infrastrukturës i linte zonat e thella në errësirë të plotë.
Sot, centrali vazhdon të funksionojë. Energjia që prodhon nuk është e madhe, por mjafton për nevojat bazë të katër shtëpive ku jetojnë djemtë e Selmanit.
Në një zonë të thellë të qarkut të Kukës, ku izolimi dhe shpopullimi kanë qenë realitet i përhershëm, kjo vepër e vogël mbetet një simbol i qëndresës dhe zgjuarsisë së banorëve të Gorës.
Historia e Selman Hysenajt është dëshmi e një kohe kur mungesa e shtetit i detyronte njerëzit të bëheshin vetë inxhinierë, elektricistë dhe projektues të fatit të tyre, duke gjetur zgjidhje aty ku askush tjetër nuk ofronte ndihmë.
© SYRI.net