Reshjet e ditëve të fundit kanë përmbytur sërish fushën e Spitënit në Lezhë, duke lënë nën ujë dhjetëra hektarë tokë bujqësore prej tre ditësh.
Situata ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në bujqësi, ndërsa fermerët shprehen se kjo është hera e katërt brenda pak javësh që përballen me të njëjtin problem.
Uji ka pushtuar parcelat e mbjella, ndërsa në disa zona fermerët janë detyruar të hedhin rrjete për të zënë peshk në tokat që deri pak ditë më parë ishin ara prodhuese. Sipas tyre, prezenca e zgjatur e ujit ka dëmtuar dy herë mbjellat, duke i çuar drejt falimentimit.
Fermerët janë ngritur në protestë, duke kërkuar zgjidhje të menjëhershme dhe dëmshpërblim për humbjet e pësuara. Ata thonë se deri më tani nuk kanë marrë asnjë kompensim për dëmet e shkaktuara nga përmbytjet e përsëritura.
Sipas banorëve të zonës, shkak i situatës është moshapja e kanaleve kulluese dhe mosfunksionimi siç duhet i hidrovorit të Tales.
Ata akuzojnë institucionet përgjegjëse për neglizhencë, ndërsa paralajmërojnë se nëse situata vijon, dëmet do të jenë edhe më të mëdha.
© SYRI.net