Fermerët e fshatit Vloçisht, në Bashkinë e Maliqit, po përballen me një situatë të rëndë pas reshjeve të dendura të muajve nëntor dhe janar.
Sipërfaqe të tëra me grurë dhe elb kanë mbetur nën ujë për ditë me radhë, duke dëmtuar ndjeshëm të mbjellat dhe duke vënë në rrezik prodhimin e këtij viti.
Ata shprehen se ndihen të nënvlerësuar dhe të braktisur, ndërsa investimet e bëra për farë, plehra dhe punime toke rrezikojnë të humbasin.
Sipas tyre, mungesa e mirëmbajtjes së kanaleve kulluese ka përkeqësuar situatën.
Një tjetër fermer tregon se në disa parcela uji vazhdon të qëndrojë, duke dobësuar bimët dhe duke i bërë ato më të prekshme nga sëmundjet, çka do të ndikojë drejtpërdrejt në rendiment.
Specialistët theksojnë se teprica e ujit ka dëmtuar strukturën e tokës dhe ka ulur zhvillimin normal të kulturave, ndërsa paralajmërojnë se rendimenti pritet të jetë i kufizuar, veçanërisht në zonën e Maliqit.
Në këto kushte, fermerët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për përmirësimin e kullimit dhe mbështetje konkrete për të përballuar humbjet e këtij sezoni.
© SYRI.net