Durrsakët këmbëkryq në rrugë - Kundërshtojnë projektin TID, bllokojnë qarkullimin, ndërhyn Policia

12:18, 10/02/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Ndërsa vijojnë rezistencën e tyre përballë Bashkisë së Durrësit, banorët janë ulur këmbëkryq në rrugë, si e vetmja mënyrë pë rtë kundërshtuar projektin TID, për rijetëzimin e qendrës historike të qytetit.

Ndërkohë Policia ka ndërhyrë për të shpërndarë banorët, që sipas uniformave lu kanë bllokuar qarkullimin e mjeteve brenda qytetit.

´Ju jeni në detyrë por kuptojeni hallin tonë´, iu drejtua një banor Policisë që erdhi për t´i larguar nga rruga.

Më herët, tensionet dhe pakënaqësitë përfshinë dhjetëra banorë në Durrës, të cilët janë ngritur në një protestë masive përpara godinës së bashkisë. Shkak është bërë një projekt urbanistik i ri, i cili parashikon prishjen e banesave të tyre, ndërsa ata kanë marrë njoftimet zyrtare për t'u larguar. Banorët kundërshtojnë atë që e cilësojnë si një dëmshpërblim qesharak dhe denoncojnë mungesën e plotë të konsultimit dhe transparencës nga ana e autoriteteve vendore.

Sipas dëshmive të protestuesve, njoftimet për prishje u janë shpërndarë në mënyrë masive, duke u kërkuar të firmosin një kontratë qiraje dhe të lirojnë banesat. Vlera e ofruar për shpronësim është vetëm 170 mijë lekë të vjetra për metër katror, një shifër që konsiderohet skandaloze dhe e pamjaftueshme për të siguruar një strehë tjetër.

“Si mund të dorëzoj unë një shtëpi që e kam me dokumenta, në mes të Durrësit, për 170 mijë lekë të vjetra metri katror? Këto tallen me këtë popull,” shprehet njëra prej banoreve të prekura. Ajo shkon më tej duke hedhur akuza se projekti i shërben interesave private. “Këta i kanë dhënë fjalën bandave të Durrësit. Do bëhen hotele, pallate, ne i dimë,” tha ajo, duke kërkuar drejtësi dhe sqarime.

Pakënaqësia thellohet edhe nga paqartësia mbi logjikën e projektit. Një tjetër banore, prona e së cilës ndodhet në zonën “Çezma e Ferrës”, shpjegon se ndërkohë që projekti zyrtarisht parashikon ndërtimin e një rruge, po prishen edhe pallate të tëra, gjë që duket e pajustifikuar.

“Ato duan të bëjnë një rrugë, kanë marrë pjesët e shtëpiave private dhe tani nuk kuptoj pse duhet të hedhin dhe pallatet nga ana tjetër,” thotë ajo, duke theksuar se nuk janë njoftuar kurrë zyrtarisht.

Protestuesit argumentojnë se vendimi i bashkisë shkel të drejtat e tyre themelore dhe kushtetuese, duke qenë se projekti nuk ka legjitimitet dhe asnjë justifikim të sigurisë publike, pasi lagjet nuk paraqesin problematika.

 “Në 400 metra segment bëhet një zgjerim ekstrem i rrugës, e cila në fund përfundon e mbyllur,” shpjegon një banore, duke shtuar se projekti prek edhe një jetimore, duke cenuar aksesin dhe sigurinë e fëmijëve.

Situata mbetet e tensionuar, ndërsa janë të vendosur në qëndrimin e tyre, duke deklaruar se nuk do të largohen nga pronat e tyre me dokumente të rregullta.

“Ne nuk largohemi nga banesa jonë. Ne sot pritnim një konsultim nga bashkia, jo të na sillnin letrën për largim. Ne nuk dalim. Aty do vdesim në shtëpitë tona. Le të vijnë të na shembin brenda,” deklaroi një tjetër protestuese, duke përmbledhur vendosmërinë e gjithë komunitetit për të mbrojtur shtëpitë e tyre.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco