Rreth 400 banorë të fshatit Terovë, në bashkinë Maliq, janë përballur prej më shumë se dy javësh me një problem serioz në furnizimin me ujë të pijshëm.
Uji që del nga rubinetat është i ndotur dhe me erë të rëndë, duke u bërë i papërshtatshëm për konsum, gatim dhe përdorim të përditshëm.
Të shqetësuar nga kjo situatë, banorët dolën në protestë këtë të martë, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse.
Për shkak të ndotjes së ujit, familjet janë detyruar të përdorin alternativa, kryesisht duke blerë ujë të ambalazhuar, çka ka rritur ndjeshëm shpenzimet dhe ka vështirësuar jetesën e tyre.
Sipas kryeplakut Andonaq Risto, rrjeti i ujësjellësit nuk ka probleme teknike, ndërsa burimi i ujit, që është në funksion që prej vitit 1977, nuk ka pasur më parë situata të ngjashme.
Ai tha se reshjet e shumta të ditëve të fundit mund të kenë ndikuar në cilësinë e ujit, por ende nuk ka një sqarim zyrtar nga autoritetet.
"Situata rëndon veçanërisht familjet dhe amvisat, të cilat hasin vështirësi serioze në kryerjen e nevojave bazë ditore, si gatimi, larja dhe ruajtja e higjienës," – tha Risto.
Problemi nuk prek vetëm fshatin Terovë, por është shtrirë edhe në fshatin Pendavinj, gjithashtu në bashkinë Maliq. Në total, rreth 1000 banorë ndodhen pa akses në ujë të sigurt për përdorim dhe kërkojnë zgjidhje urgjente nga institucionet.
Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme dhe paralajmërojnë protesta të tjera nëse situata nuk përmirësohet.
© SYRI.net