Një segment rrugor prej rreth 1.5 kilometrash në lagjen Lulajt të fshatit Varibob mbetet i pashtruar prej vitesh, duke u kthyer në simbol të harresës institucionale dhe mashtrimit elektoral. Rreth 100 familje jetojnë çdo ditë mes baltës, gropave dhe premtimeve të pambajtura, ndërsa durimi i tyre ka arritur kufijtë maksimalë.
Banorët thonë se rruga është problem jo vetëm për lëvizjen, por edhe për jetën sociale dhe arsimore. Rreth 20 fëmijë përballen me vështirësi të mëdha për të shkuar në shkollë, sidomos gjatë reshjeve, kur rruga kthehet në baltë dhe bëhet pothuajse e pakalueshme. Prindërit shprehen se fëmijët shpesh përballen edhe me tallje nga bashkëmoshatarët për shkak të rrobave të ndotura.
Situata rëndohet nga dëmet që pësojnë automjetet. Në këtë segment qarkullojnë rreth 60 makina çdo ditë, të cilat shpesh dëmtohen në amortizatorë, goma dhe pjesë të tjera, duke detyruar familjet të përballojnë shpenzime të shtuara për riparime.
Banorët tregojnë se kanë protestuar disa herë, gjatë fushatës së zgjedhjeve të 11 majit, por edhe gjatë vitit 2026, pa asnjë reagim konkret nga institucionet. Bashkia kishte premtuar shtrimin e rrugës përmes planit të investimeve të vitit 2025, por ky premtim ka mbetur vetëm në dokumente dhe deklarata publike.
“Premtime kemi dëgjuar vetëm gjatë fushatave. Pasi mbarojnë zgjedhjet, askush nuk kujtohet më për ne”, shprehen banorët.
Të zhgënjyer dhe të lënë pas dore, banorët paralajmërojnë përshkallëzim të protestave. Nëse nuk merren masa konkrete për shtrimin e rrugës, ata thonë se janë të gatshëm të dalin në autostradën Levan–Tepelenë dhe të bllokojnë qarkullimin, si formë presioni ndaj institucioneve.
Rruga e lagjes Lulajt në Varibob mbetet një shembull tjetër se si zonat rurale trajtohen si periferia e periferive, ku problemet reale zgjidhen vetëm me fjalë, jo me asfalt.
© SYRI.net