Një treg i veçantë, ku tregtarët romë shesin sende të përdorura, ka mbajtur gjallëri në qytetin historik të Gjirokastrës për dy dekada. Nga rrugët qendrore, sheshet dhe rrugicat e vogla, tregu ka gjetur strehë të përkohshme në një zallishte në lagjen periferike Gërhot, duke vazhduar të jetë një mundësi e rëndësishme për blerësit lokalë dhe jo vetëm.
Banorët dhe vizitorët e tregut theksojnë se artikujt me çmim të ulët janë arsyeja kryesore për të vizituar tregun, duke e bërë atë një alternativë të domosdoshme për ata që nuk mund të përballojnë blerjet në dyqane apo produkte të reja.
Tregëtarët romë rrëfejnë për vështirësitë e vitit të fundit, ku lëvizja dhe blerjet kanë rënë ndjeshëm. Ata thonë se fitimet ditore variojnë nga 300 deri në 400 lekë, vetëm sa për të mbijetuar.
Situata e tregut pasqyron realitetin ekonomik të komunitetit rom, ku rreth 70% e banorëve jetojnë nga kjo tregëtie.
Një nga kërkesat kryesore të tregëtarëve ndaj bashkisë Gjirokastër është vendosja e dy tualeteve publike në zonë, për të përmirësuar kushtet e punës dhe higjienës, të cilat aktualisht lënë për të dëshiruar.
Pavarësisht sfidave, tregu shumëngjyrësh mbetet një pjesë e rëndësishme e jetës ekonomike dhe sociale të komunitetit rom dhe një hapësirë e çmuar për qytetarët që kërkojnë artikuj me çmime të përballueshme.
© SYRI.net