Përmbytjet dhe rrëshqitjet e dherave përkeqësojnë situatën në Gjirokastër, kërkohet ndërhyrje urgjente

Përmbytjet dhe rrëshqitjet e dherave përkeqësojnë situatën në Gjirokastër, kërkohet ndërhyrje urgjente

10:17, 14/01/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Ditën e sotme, situata e krijuar nga reshjet e shiut dhe rrëshqitjet e dherave në disa bashki të Qarkut Gjirokastër mbetet problematike. Sipas raportimeve nga institucionet lokale, vijon puna për stabilizimin e infrastrukturës dhe për pastrimin e rrugëve të bllokuara, por ka ende disa zona që përballen me vështirësi të mëdha.

Bashkia Gjirokastër

Në qytetin e Gjirokastrës, disa lagje po vazhdojnë të përballen me rrëshqitje dherash, veçanërisht në lagjet "Granicë" e sipërme, "Zinxhia" dhe "Pazar i Vjetër". Mungesa e gjeologëve për të vlerësuar situatën ka bërë që ndërhyrjet të jenë të kufizuara dhe për disa aksidente të nevojitet ndërhyrje urgjente për largimin e dherave nga rrugët dhe oborret e banesave. Puna do të vazhdojë edhe në njësinë administrative Lunxëri për pastrimin e rrugëve të bllokuara në fshatrat Dhoksat, Gjatë, Këllëz dhe Qestorat. Situata e rrëshqitjeve të dherave mbetet e paqëndrueshme në disa zona.

Bashkia Libohovë

Në njësinë administrative Zagori, rrugët hyrëse të fshatrave Zhej, Lliar dhe Topovë vijojnë të jenë të bllokuara nga rrëshqitjet e dherave. Këto zona mbeten të paqëndrueshme dhe janë nën monitorim të vazhdueshëm. Për momentin, pritet raporti i gjeologëve për të përcaktuar ndërhyrjet e nevojshme, pasi formacionet e dheut janë ende të paqëndrueshme dhe mund të shkaktojnë rrezik për qytetarët.

Bashkia Memaliaj

Një rrugë e brendshme në njësinë administrative Memaliaj vazhdon të mbetet e bllokuar për shkak të rrëshqitjeve të dheut. Puna do të vijojë për pastrimin dhe largimin e dherave në ato vende ku nuk ka rrezik të shkaktohen katastrofa të tjera. Pritet gjithashtu raporti i specialistëve gjeologë për të vlerësuar nivelin e rrezikut.

Bashkia Dropull

Një tjetër problem që vazhdon të shqetësojë banorët është dëmtimi i urës së Glinës, e cila është goditur rëndë nga reshjet e shiut. Ndërhyrja për restaurimin dhe riparimin e kësaj ure është e nevojshme, pasi ka rrezik të bllokojë qarkullimin e mjeteve.

Bashkia Përmet

Në aksin rrugor Përmet - Dogana e Tre Urave ka një segment të bllokuar prej 25 metrash në hyrje të fshatit Petran. Ky segment ka rrezik të bllokojë lëvizjen e automjeteve, dhe për këtë arsye, pritet vlerësimi i specialistëve gjeologë për të përcaktuar mënyrën më të sigurt për të kaluar dhe pastruar rrugën. Puna gjithashtu do të vazhdojë për pastrimin e rrugëve të brendshme në fshatrat Bual, Hotovë, Mokricë dhe Kosovë.

Bashkia Këlcyrë

Sipas raportimeve, në Bashkinë Këlcyrë nuk ka bllokime të akseve rrugore. Pastrimi i inerteve është përfunduar dhe infrastruktura është rikthyer në normalitet. Megjithatë, komisioni i ngritur për vlerësimin e dëmeve vazhdon punën për të pasur një pasqyrë të plotë mbi dëmet që ka shkaktuar moti i keq.

Bashkia Tepelenë

Në aksin rrugor Subash - Hormovë, rruga e vjetër nuk mundëson qarkullimin e mjeteve të rënda. Pritet që ndërhyrja të bëhet sapo të ulet niveli i ujit nga përroi i Tërbuqit. Po ashtu, në fshatin Hormovë, do të përfundojë puna për drenazhimin e ujrave në një banesë që ka rrezik të shembet për shkak të uljes së sipërfaqes së tokës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco