Mërzia është një pjesë e zakonshme e jetës, në çdo kohë dhe kudo në botë. Arsyeja është e thjeshtë: mërzia ka një rol të dobishëm. Ajo i shtyn njerëzit të kërkojnë qëllime të reja dhe sfida të reja.
Unë jam profesore dhe studioj komunikimin dhe kulturën. Aktualisht po shkruaj një libër për prindërimin modern dhe kam vënë re se shumë prindër përpiqen t'i mbrojnë fëmijët nga mërzia. Ata e shohin mërzinë si një ndjenjë negative që nuk duan që fëmijët e tyre ta përjetojnë. Ose përpiqen t'i drejtojnë drejt aktiviteteve që i konsiderojnë më "produktive".
Ka shumë arsye për këtë. Shumë prindër janë të zënë me punë dhe të stresuar nga paratë, kujdesi për fëmijët dhe detyrat e përditshme. Kur fëmija është i zënë me një lojë, një film vizatimor apo punë artizanale, prindërit mund të punojnë më qetë ose të përgatisin ushqimin pa ankesa se "po mërzitem".
Prindërit shpesh ndihen edhe nën presion që fëmijët të kenë sukses, të hyjnë në shkolla të mira, të bëhen sportistë të suksesshëm ose muzikantë të aftë.
Sot, fëmijët kalojnë më pak kohë duke luajtur lirshëm jashtë dhe më shumë kohë në aktivitete të organizuara, krahasuar me disa dekada më parë. Qasja e lehtë në ekrane e ka bërë edhe më të lehtë shmangien e mërzisë.
Gjatë pandemisë, shumë prindër u detyruan t'i vendosnin fëmijët përpara ekraneve që të mund të punonin. Kohët e fundit, disa prindër ndihen edhe nën presion shoqëror për t'i përdorur ekranet që fëmijët të qëndrojnë të qetë në vende publike.
Pra, ka shumë arsye pse prindërit shmangin mërzinë e fëmijëve. Por para se të përpiqemi ta eliminojmë plotësisht, është e rëndësishme të kuptojmë përfitimet e saj.
Përfitimet e mërzisë
Edhe pse mërzia të jep ndjesi të keqe në moment, ajo sjell përfitime reale për zhvillimin personal. Ajo është një sinjal se diçka duhet ndryshuar, ambienti, aktiviteti apo shoqëria. Psikologët kanë zbuluar se mërzia ndihmon në gjetjen e qëllimeve të reja dhe nxit përpjekjen për aktivitete të reja.
Profesorë si Arthur Brooks nga Harvard thonë se mërzia është e nevojshme për reflektim. Koha e lirë na lejon të mendojmë për gjërat e rëndësishme dhe të gjejmë kuptim.
Fëmijët që rrallë mërziten mund të rriten e të bëhen adultë që nuk dinë ta përballojnë mërzinë. Mërzia ndihmon gjithashtu në zhvillimin e kureshtjes dhe kreativitetit.
Të mësosh të përballosh mërzinë dhe emocionet e pakëndshme është një aftësi e rëndësishme jetësore. Kur fëmijët menaxhojnë vetë kohën e tyre, ata zhvillojnë aftësi si planifikimi dhe vendosja e qëllimeve.

Mërzia është e pakëndshme, por e dobishme
Të durosh mërzinë kërkon praktikë. Prindërit mund të fillojnë me periudha të shkurtra pa aktivitete të planifikuara dhe gradualisht t'i zgjasin ato. Dalja jashtë, sugjerimi i një loje të re ose thjesht pushimi janë mënyra të mira për ta lejuar mërzinë.
Fëmijët e vegjël mund të kenë nevojë për ide, por prindërit nuk kanë pse të luajnë gjithmonë me ta. Edhe disa minuta mërzie janë një fillim i mirë. Fëmijët më të rritur duhet të inkurajohen ta zgjidhin vetë mërzinë.
Bëhet më e lehtë me kohën
Fëmijët përshtaten. Sa më shumë mësohen me mërzinë, aq më pak e ndiejnë atë në të ardhmen. Edhe prindërit mund të ndihen më pak të stresuar kur heqin dorë nga detyrimi për t'i argëtuar fëmijët gjithë kohën.
Herën tjetër që një fëmijë thotë "po mërzitem", mos u ndjeni fajtorë. Mërzia është pjesë e shëndetshme e jetës. Ajo na ndihmon të bëhemi më të pavarur, të gjejmë hobi të reja dhe të përballemi me sfida të reja. Thojuni fëmijëve që pak mërzi jo vetëm që është normale, po u bën mirë. / The Conversation – Syri.net
© SYRI.net