Zhgënjimi i thellë dhe mungesa e aftësisë për të parë të ardhmen në Shqipëri kanë lënë shqiptarët të parët në rajon për dëshirën për të emigruar, me 44% të të anketuarve në Barometrin e Ballkanit. Ajo që vihet re është se njerëzit që emigrojnë kanë pak ose aspak dëshirë për t’u rikthyer në vend, duke thelluar krizën e shpopullimit.
Në vitin 2025, Shqipëria paraqitet si vendi me nivelin më të lartë të dëshirës për emigrim në rajon, sipas të dhënave të Barometrit të Ballkanit. 44% e të anketuarve deklaruan se do të donin të shkonin të jetonin ose të punonin jashtë vendit, një përqindje që e vendos vendin tonë mbi mesataren rajonale. Shqipëria dallon nga rajoni jo vetëm për intensitetin e prirjes drejt emigrimit, por edhe për natyrën e thellë dhe afatgjatë të fenomenit, pasi emigrantët po tërheqin edhe familjarët e tyre.
Arsyet pse Shqipëria kryeson rajonin lidhen ngushtë me faktorë ekonomikë dhe socialë. Diferencat e mëdha në paga dhe standard jetese me vendet e Bashkimit Evropian mbeten një shtysë e fortë, veçanërisht për të rinjtë dhe profesionistët e kualifikuar. Këto diferenca kombinohen me mundësitë e kufizuara për punë cilësore dhe zhvillim profesional, duke krijuar bindjen se zhvillimi personal dhe ekonomik është më i arritshëm jashtë vendit.
Për shkak të emigracionit të lartë, popullsia e Shqipërisë po tkurret me ritme shumë më të larta, 2–3 herë më shumë se në vendet e tjera të rajonit, sipas të dhënave të Eurostat për popullsinë e vendeve kandidate. Në vitin 2025, popullsia e Shqipërisë pësoi një tkurrje prej rreth 27,628 personash brenda një viti, citon “Monitor”. Të dhënat e brendshme tregojnë se popullsia e moshës 15–29 vjeç, që përfaqëson grupin e të rinjve aktivë në emigrim, u tkurr me 45% ndërmjet viteve 2011 dhe 2025.
© SYRI.net