Banorët e lagjes Kushtrimi në Vlorë kanë folur për Syri TV ku kanë deklaruar se Bashkia Vlorë i ka lënë tërësisht në harresë. Mungesa e investimeve dhe vëmendjes ndaj qytetarëve ka bërë që banorët e kësaj lagjeje të jetojnë me rrugë të amortizuara e pa ndriçim.
Syri TV
Lagjja ‘Kushtrimi’ në qytetin e Vlorës ndodhet prej vitesh në një gjendje të mjerueshme, pa asnjë ndërhyrje serioze apo investim nga institucionet përgjegjëse. Banorët shprehen se janë lënë pas dore, pavarësisht ankesave të shumta të ngritura ndër vite.
Problemi kryesor mbetet gjendja katastrofike e rrugës, e cila në një pjesë është e asfaltuar, ndërsa pjesa tjetër është totalisht e amortizuar. Gropa të mbushura me ujë, baltë dhe pluhur e bëjnë të vështirë qarkullimin, sidomos gjatë ditëve me reshje shiu, duke kthyer jetesën në zonë në një sfidë të përditshme.
Situata përkeqësohet edhe më shumë nga mungesa e ndriçimit rrugor, çka e bën lagjen të pasigurt gjatë natës. Banorët shprehen të indinjuar dhe të zhgënjyer.
Banorët e lagjes “Kushtrimi” i bëjnë thirrje Bashkisë së Vlorës dhe institucioneve përkatëse që të ndërhyjnë sa më parë për rehabilitimin e rrugës, vendosjen e ndriçimit dhe përmirësimin e kushteve minimale të jetesës, duke kërkuar trajtim të barabartë me zonat e tjera të qytetit.
© SYRI.net