Lagjja “Kushtrimi” në qytetin e Vlorës ndodhet prej vitesh në një gjendje të mjerueshme, pa asnjë ndërhyrje serioze apo investim nga institucionet përgjegjëse. Banorët shprehen se janë lënë pas dore, pavarësisht ankesave të shumta të ngritura ndër vite.
Problemi kryesor mbetet gjendja katastrofike e rrugës, e cila në një pjesë është e asfaltuar, ndërsa pjesa tjetër është totalisht e amortizuar.
Gropa të mbushura me ujë, baltë dhe pluhur e bëjnë të vështirë qarkullimin, sidomos gjatë ditëve me reshje shiu, duke kthyer jetesën në zonë në një sfidë të përditshme.
Situata përkeqësohet edhe më shumë nga mungesa e ndriçimit rrugor, çka e bën lagjen të pasigurt gjatë orëve të mbrëmjes dhe natës.
Banorët shprehen të indinjuar dhe të zhgënjyer, duke deklaruar se janë penduar që kanë zgjedhur të jetojnë në këtë zonë, e cila sipas tyre është harruar plotësisht nga pushteti vendor.
“Ankesa kemi bërë pa fund, por askush nuk ka vënë dorë. Këtu nuk ka investime, nuk ka vëmendje, sikur të mos ekzistojmë,” – shprehen disa prej banorëve për mediat.
Banorët e lagjes “Kushtrimi” i bëjnë thirrje Bashkisë së Vlorës dhe institucioneve përkatëse që të ndërhyjnë sa më parë për rehabilitimin e rrugës, vendosjen e ndriçimit dhe përmirësimin e kushteve minimale të jetesës, duke kërkuar trajtim të barabartë me zonat e tjera të qytetit.
© SYRI.net