Në Spitalin Onkologjik të Tiranës, aty ku çdo ditë pacientë nga e gjithë Shqipëria përballen me trajtime të gjata, të lodhshme dhe emocionalisht sfiduese, Fondacioni Mane ka realizuar një ndërhyrje të rëndësishme që prek drejtpërdrejt cilësinë e kujdesit dhe mënyrën se si pacientët e përjetojnë procesin e trajtimit.
Falë dhurimit të 30 poltronëve të rinj, të parametrave modernë,si dhe përmirësimit dhe zgjerimit të hapësirës së trajtimit, tashmë janë rritur ndjeshëm kapacitetet e ofrimit të terapisë ditore. Përmes kësaj ndërhyrjeje u krijua gjithashtu edhe një hapësirë e re për marrjen e kemioterapisë dhe salla e pajisur me poltronët e posaçëm është plotësisht në dispozicion të pacientëve. Me sallat tashmë në gjendje dinjitoze, Spitali Onkologjik ka kapacitetet për të trajtuar të gjithë pacientët ditorë.
Themeluesi i Fondacionit Mane, Samir Mane vizitoi personalisht hapësirën e rehabilituar, duke parë nga afër ndërhyrjen. “Pasi u informua mbi nevojën, Fondacioni Mane iu përgjigj menjëherë situatës, duke marrë masa të menjëhershme që poltronët të vijnë në kohë rekord, gjithashtu edhe të ndihmojë për rinovimin e ambienteve.” u shpreh ai. Samir Mane premtoi se “Këto kushte dinjitoze jemi të gatshëm t’i krijojmë edhe nëspitalet e qyteteve të tjera, në mënyrë që pacientët ta marrin trajtimin e kemioterapisë sa më afër shtëpisë!”
Prof.Dr. Helidon Nina, Drejtor Mjekësor i Spitalit Onkologjik, falenderoi Fondacionin Mane për mbështetjen. Sipas tij, “ndryshimi është mbi të gjitha funksional dhe tani kushtet janë optimale për të trajtuar afërsisht 100 pacientë në ditë, sipas një planifikimi që i ndihmon vetë pacientët në radhë të parë”.
Ky angazhim është pjesë e misionit të Fondacionit Mane për të mbështetur shëndetin dhe mirëqenien në komunitet, duke investuar aty ku ndikimi është i menjëhershëm dhe ku ndryshimi prek drejtpërdrejt jetën e njerëzve.

© SYRI.net