Javën e kaluar iu folëm në lidhje dentisten “profesioniste”, Genta Elezi Shaholli, e cila kishte një klinikë stomatologjike në qytetin e Shijakut dhe ishte personazh i historisë që ju treguam një javë më parë.
Pseudodentistja 41 vjeçare ushtronte aktivitetin pa licensë në një klinikë në qytetin e shijakut, atje ku një paciente kishte rënë pre e paaftësisë së saj.
Të gjendur përpara një rasti flagrant abuzimi, kërkuam informacion nga urdheri i stomatologut që na u përgjigj se kjo zonjë nuk ishte e regjistruar në këtë institucion dhe për rrjedhojë nuk mund të ushtronte profesionin. Gjithashtu nga ISHSH dolën një sërë mangësish në dokumentacion, që nga mungesa e lejes së ushtrimit të profesionit, akt miratimi higjeno sanitar, mungesa e librezës shëndetësore dhe raportit mjekoligjor, analizës së ujit, certifikatës së desinfektimit dhe kontratës për menaxhimin e mbetjeve spitalore.
Praktikisht asnjë dokument, duke e kthyer klinikën e kësaj zonje në një vatër të ushtrimit abuziv të aktivitetit.
Ndërkohë, menjëherë pas publikimit të këtij skandali, në rrjetet tona sociale vërshuan një pafundësi komentesh dhe mesazhesh, që demaskonin këtë personazh që paligjshmërinë e kishte kthyer në normalitet.
Por pati edhe nga ato që kërkuan të na takojnë, për të denoncuar metodat aspak profesionale të kësaj zonje që ka marrë përsipër të ushtrojë një profesion kaq delikat siç është ai i stomatologut.
E përbashkëta e këtyre tre zonjave, është se kanë qenë paciente të zonjës Genta por secila prej tyre ka patur një histori të ndryshme, gjithmonë me fund të tmerrshëm, për shkak të duarve të saj aspak profesionale.
Dy zonjat e para, marrin kontakt nëpërmjet profilit të saj në instagram, atje ku pseudodentistja publikonte ofertat e saj të parezistueshme.
Ndërkohë që Manjola, pacientja e tretë, e ka njohur në një situatë tërësisht të ndryshme. Ajo tregon që në takimin e parë zonja Genta I dha një diagnozë , pa nevojën e një konsulte në klinikë. Dhe e njëjta gjë edhe me dy zonjat e tjera
Zonjat tregojnë se Gentën e kanë njohur në vendndodhje të ndryshme të Tiranës si Komuna e Parisit, Te Selvia, Laprakë, Unaza e Re dhe në fund në Shijak, aty ku e gjetëm ne.
Në më pak se pesë vite, doktoreshë Genta ka hapur dhe mbyllur plot 5 klinika. Aq dimë ne të paktën.
Pacienti i katërt që denoncon aktivitetin e paligjshëm të kësaj zonje është Arbeni nga Peshkopia, i cili njëlloj si dy zonjat e moshuara e ka njohur nga interneti.
Për secilin nga pacientët që peshkonte Genta përdorte strategjinë e bamirëses, diku me oferta zemërgjera e diku për hir të njohjes dhe miqësisë.
Por gjithmonë me qëllimin e vetëm, kap çfarë të kapësh.
Gjithçka brenda ditës, sepse doktoreshë Genta nuk ka kohë për të humbur... Ofertat janë gjithmonë aktive dhe pacientet gëlojnë.
Madje aq shumë sa që fillimisht bënte heqjet në seri, dhe më pas bënte implantet.
Dhe pas shumë kohë pritjeje, vinte momenti për vendosjen e dhëmbëve të rinj.
Në këtë pikë Vasilika e sheh që gjërat nuk shkojnë aspak mirë për të, sepse impianti i vendosur nga mjekja abuzive po i shkaktonte komplikacione të rënda.
Komplikacione thuajse të ngjashme kanë kaluar edhe pacientët e tjerë, të cilët i kanë besuar duarve të kësaj mjekeje abuzive.
Nga situatat e tmerrshme që kanë kaluar këto paciente, nuk kishin se si të mos zemëroheshin, por me sa duket zonja Genta gjente gjithmonë një justifikim.
Pra, ka hequr dy dhëmbë të shëndoshë sepse ishin infektuar nga dhëmbi i sëmurë.
E gjitha kjo pa një konsultë paraprake me pacienten.
Ndërkohë që debatet e pacienteve ishin për cilësinë skandaloze dhe gjymtimet që po iu shkaktonte, pseudomjekja nuk e prishte aspak terezinë, madje pa u skuqur, jepte diagnoza të reja.
Por gjithë çfarë dëgjuam nuk janë asgjë krahasuar me dëmin që ka pësuar Vasilika, kjo zonjë e moshuar e cila ka përfunduar në spital dhe ende sot vuan pasojat e papërgjegjshmërisë së stomatologes së paligjshme.
Sapo është paraqitur në spital, mjekët i kanë kërkuar të përgatitet për ndërhyrje të menjëhershme, për shkak të rrezikut se implantet mund të avanconin.
Kjo situatë për vasilikën do të zgjaste për disa vite, duke i shkaktuar një dëm shëndetësor, financiar dhe moral të pakthyeshëm.
E gjitha kjo për shkakun e një personi të paskrupullt që nuk ndalej përpara asgjëje vetëm për të zhvatur pacientët, dhe më pas zhdukej pa lënë asnjë gjurmë.
Duke mos arritur ta gjejë, Manjola merr kontakt me administratorin e pallatit, dhe aty përballet me të vërtetën shokuese....
Me të njëjtën situatë, në kohë dhe në vende të ndryshme janë përballur edhe pacientët e tjerë të dëmtuar nga stomatologia abuzive.
Por kërkimet e pacientëve për gruan problematike që hiqej si mjeke nuk mund të vazhdonin pafundësisht...
Dhe dikush do të merrte hapa ligjorë ndaj saj, duke u përballur me një tjetër të vërtetë shokuese, një dënim që Genta Elezi nuk e kreu asnjëherë...
Përkundrazi, iu rikthye edhe njëherë zanatit të vjetër, hapjes një pas një të klinikave dentare, deri në momentin kur u kap nga ne, në qytetin e Shijakut.
Dhe zonja genta na e dëgjoi menjëherë fjalën. Ajo mori masa vërtetë serioze. Mbylli klinikën e Shijakut, për të hapur një tjetër në qytetin e Durrësit, duke vijuar me praktikën e vjetër të ofertave tunduese.
Ndërkohë që Vasilika, Manjola, Kristina, Arbeni dhe shumë e shumë ish-pacientë të saj, vuajnë ende pasojat e një mashtrimi të madh në emër të mjekësisë, që mban emrin dhe fytyrën e kësaj zonje e cila vijon punën abuzive, e pashqetësuar aspak nga organet ligjzbatuese, që mjaftohen me burokraci dhe nuk marrin asnjë masë konkrete ndaj saj. /Piranjat - Syri.net/
© SYRI.net