Shpopullimi i vendit po ecën me ritme të frikshme, ndërsa ky fenomen është më i theksuar në zonat rurale. Një plagë të tillë po e vuajnë edhe fshatrat e Bashkisë së Vlorës, ku në fshatin Sherishtë ka ikur e gjithë rinia, duke lënë pas vetëm të moshuarit. Ata pak banorë që kanë mbetur ankohen për probleme të shumta, por më kryesorja është ajo ekonomike, pasi nuk arrijnë të mbulojnë as shpenzimet më minimale. Ndjekim materialin e përgatitur nga gazetari jonë Gent Këllçiu!
Vetëm 7 kilometra larg qytetit të Vlorës, fshati Sherishtë po përballet me një braktisje të vazhdueshme nga banorët. Nga rreth 400 familje që jetonin dikur aty, sot kanë mbetur vetëm rreth 150, ndërsa pjesa më e madhe e banesave është e mbyllur.
Në fshat kanë mbetur kryesisht të moshuar, të cilët nuk arrijnë më të punojnë tokat dhe nuk kanë mundësi ekonomike për të përballuar kostot e punës bujqësore. Mungesa e fuqisë punëtore ka bërë që tokat të ngelin djerrë, ndërsa aktiviteti bujqësor pothuajse ka pushuar.
Banorët thonë për Syri TV se mbahen kryesisht nga fëmijët emigrantë, pasi të ardhurat e tyre nuk mjaftojnë për të përballuar jetesën.
Sherishtë është një nga zonat që simbolizon qartë realitetin e braktisjes rurale në qarkun e Vlorës, një fenomen që po merr përmasa shqetësuese në të gjitha qarqet e vendit, duke bërë që popullsia e Shqipërisë të tkurret me ritme të frikshme.
© SYRI.net