Lajmi i fundit

LIVE/ Protesta e 16-të kundër Edi Ramës, qytetarët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit

'Krimi në moshë të mitur, pasojë e një zinxhiri dështimesh'/ Binjaku: Familja, shkolla dhe shteti po çalojnë

18:05, 06/12/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Vdekja tragjike e 15-vjeçarit Erjon Boba në Durrës, i cili u qëllua për vdekje me thikë nga një bashkëmoshatar pas një konflikti të nisur në rrjetet sociale, ka tronditur opinionin publik dhe ka rikthyer në vëmendje fenomenin alarmant të dhunës mes të rinjve. Ngjarja, e cila kulmoi para derës së shtëpisë së viktimës, është vetëm maja e ajsbergut të një krize të thellë shoqërore që po i shtyn të miturit drejt akteve ekstreme.

E ftuar në një intervistë për 'Edicionin e pasdites' në SYRI TV me moderatoren Eneida Ndoci, sociologia Entela Binjaku ka analizuar shkaqet komplekse që fshihen pas këtij fenomeni, duke theksuar se dhuna është e shtrirë në shumë fasha të shoqërisë dhe nuk kursen askënd. Sipas saj, rrënjët e problemit janë të thella dhe lidhen me dështimin e disa shtyllave kryesore të shoqërisë.

Binjaku identifikon si shkak kryesor rënien e autoritetit të institucioneve si familja dhe shkolla. "Familjet shpesh nuk ia dalin dot të edukojnë fëmijët me vlerat e duhura, për shkak të pamundësisë, paditurisë apo halleve të shumta," shpjegon ajo. Nga ana tjetër, shkolla po dështon në rolin e saj për të formuar qytetarë me vlera, ndërsa shumë adoleshentë e braktisin atë.

Një faktor tjetër vendimtar është polarizimi i madh ekonomik dhe social. Të rinjtë shohin një pabarazi të thellë mes familjeve që punojnë me ndershmëri dhe atyre që arrijnë status të lartë ekonomik përmes rrugëve të dyshimta. "Kjo krijon një ndjenjë pabarazie dhe konflikti mes të miturve, ku vlera e punës dhe dinjitetit humbet rëndësinë," thekson sociologia. Ky realitet i shtrembëruar ushqen pesimizëm tek disa dhe arrogancë tek të tjerët.

Bota virtuale, veçanërisht rrjetet sociale, janë kthyer në "vatra ku prodhohen shumë konflikte" që nisin për arsye banale dhe përshkallëzohen në tragjedi. Për më tepër, mjedisi digjital është i mbushur me modele negative që lavdërojnë dhunën, agresivitetin, paratë e lehta dhe përdorimin e armëve, duke joshur të rinjtë më të brishtë.

Binjaku vë në dukje se adoleshentët po izolohen gjithnjë e më shumë, duke ngritur "mure" që pengojnë komunikimin me familjarët. Kjo mungesë komunikimi i bën prindërit të paaftë për të kuptuar problemet dhe shqetësimet e fëmijëve të tyre, duke i lënë ata të pambrojtur përballë presioneve të jashtme dhe rrezikut të rekrutimit nga qarqet kriminale. 

Binjaku:

Më lejoni që përmes kësaj lidhje të përcjell ngushëllimet e sinqerta familjes së djaloshit që u largua nga jeta në mënyrë të pabesë dhe në mënyrë të parakohshme, dhe të gjitha familjeve të tjera që sa herë që dëgjojnë një histori të ngjashme, lëndohen dhe ju shkon, si të themi, dora në plagë. Dhe mendoj që ne për aq kohë sa raportojmë ngjarje si këto, tregojmë që brenda shoqërisë tonë ka mjaft dhunë dhe ajo është e shtrirë në shumë fasha të grupmoshave të shoqërisë. Nuk kursehen adoleshentët. Shohim që midis tyre agresiviteti vjen e shtohet.

Kuptojmë se brenda familjeve ka shumë halle, ka shumë probleme dhe shpeshherë ato nuk ia dalin dot që t'i edukojnë fëmijët ashtu siç duhet me normat, me vlerat e një shoqërie. Kuptojmë familje të tjera të cilat edhe pse përpiqen shumë për t'i edukuar në përputhje me këto vlera, këto virtyte që ka shoqëria jonë, sërish fëmijët e tyre gjenden pre e sjelljeve agresive nga radhët e bashkëmoshatarëve.

Mendoj që buron e gjithë kjo dhunë në disa hallka. Në radhë të parë e shikoj burimin tek dhuna që ka vetë mes adoleshentëve, e cila shprehet në mënyrë verbale, shprehet me gjeste, shprehet me, me gjuhë fizike, shprehet përmes fjalorit. Shprehet në realitetin e përditshëm, shprehet në realitetin virtual, shprehet në rrugë. Shikojmë që shpeshherë aq i fortë është ky presion mbi mbi vetë të miturit nga vetë shoqëria e tyre, bashkëmoshatarët e tyre, sa ata, disa prej tyre, të gjendur vazhdimisht nën këtë presion të dhunës, të gjuhës së dhunës nga ana e bashkëmoshatarëve, konflikti brenda tyre, domethënë, vjen edhe maiset aq shumë sa mund të shpërthaqet në një formë agresive. Shohim po ashtu që mjedisi virtual, i cili do të duhej të ishte një mjedis si ta themi edukativ, ose për të kaluar kohën e lirë, aspak në një gjë serioze, përkundrazi, është kthyer jo në jo pak raste vatra ku janë prodhuar shumë konflikte, në dukje elementare, minimale, banale, por që kanë përshkallëzuar, janë përshkallëzuar deri në atë pikë sa kanë shkuar dhe kanë përfunduar tragjikisht.

Mendoj që gjithë ky agresivitet buron nga rënia e autoritetit të institucioneve tona, përfshirë këtu familjen, e cila herë si të themi, për shkak të pamundësisë, herë për shkak të padijenisë ose paditurisë më saktë, herë për shkak se më shpesh justifikon veprimet e fëmijëve sesa edukon tek ata vlera, virtyte. Herë për shkak se familjet kanë aq shumë halle vetë, sa ato që lidhen me, me vigjilencën mbi fëmijën, vijnë e bëhen të dobëta. Ka të tjera institucione, si për shembull shkolla, që shpeshherë nuk mbrujt tek të miturit ato aspekte që kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me fisnikërinë e shpirtit të tyre, me zbukurimin e shpirtit të tyre, me edukimin e sjelljes qytetare. Shpeshherë të miturit ose adoleshentët e lënë shkollën, braktisin shkollën. Aty ku vende-vende domethënë mësimi as nuk bëhet. Lëndët që kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me formimin e psikës qytetare pothuajse neglizhohen, nënçmohen, jo vetëm nga ata, por edhe nga ne si të rritur.

Dhe për të vijuar më tutje, sigurisht mjedisi digjital është i pamëshirshëm. Më shumë ata miklohen, të miturit, adoleshentët në përgjithësi miklohen nga modele që për lavdërojnë dhunën, agresivitetin, përdorimin e substancave narkotike, përdorimin e armës, shkeljen e normave në përgjithësi dhe ata janë joshës për të miturit ose për adoleshentët, të cilët edhe për shkak të një institucioni tjetër që po ashtu lë shumë për të dëshiruar dhe që ka të bëjë me sigurinë, pra policimin në komunitet, të themi siguria në mjediset ku ata jetojnë, aty ku çalon, prodhohet gjithmonë një mundësi për një, për një sjellje konfliktuale, për një sjellje deviante, e cila mund të shkojë edhe në krim. 

Po, kur flasim për këtë rënie të autoritetit të institucioneve që unë fola pak më sipër, patjetër që ka disa dimensione të këtij autoriteti. Një ndër këto për shembull dimensione është i lidhur ngushtësisht me polaritetin e madh që ka në radhët e shoqërisë tonë. Pra kur familjet shqiptare kanë, bashkëjetojnë domethënë në të njëjtin komunitet, familje shqiptare që përpiqen me mish e me shpirt, me të drejtën, janë konsekuent në vlerat e tyre, janë njerëz të ndershëm, punëtorë, ndjekin domethënë ato tradita dhe nga familjet nga të cilat vijnë dhe janë, përpiqen domethënë që t'ua edukojnë edhe fëmijëve të tyre këto vlera, e pranë tyre ose përballë tyre ose diku afër tyre jeton një familje tjetër, autoriteti i së cilës është në shoqëri i ndikuar kryesisht nga statusi ekonomik.

Dhe këta fëmijë shikojnë domethënë nga njëra anë prindërit e tyre që mundohen, janë vazhdimisht në punë, lodhen dhe nuk kanë mundur dot domethënë të krijojnë po të njëjtën kamje dhe po të njëjtin status ekonomik si ai tjetri, që pa u lodhur shumë, pa bërë këtë sakrificë që bën familja e parë ose të tjera si ato, gëzon një status jashtëzakonisht të lartë të mirëqenies ekonomike kryesisht. Dhe fëmijët me njëri-tjetrin fillojnë dhe ndjejnë domethënë një pabarazi midis tyre, kuptojnë se vlerat e ose statusi ekonomik po bëhet mjaft përcaktues për të përditshmen e tyre.

Nga njëra anë, fillojnë e humbin domethënë respektin ose vlerësimin për sakrificën, për punën, për vlerat, për dinjitetin, për ndershmërinë. Dhe nga ana tjetër kuptojnë se edhe pa qenë i ndershëm dhe pa qenë detyrimisht kaq i sakrifikues, mund të të bësh një jetë më të mirë, një jetë më të mirëqenë, edhe mund të shihesh me miklim, me  si të themi, me superioritet nga radhët e bashkëmoshatarëve dhe kjo krijon dashe pa dashje disa pabarazi midis tyre. Nuk duhet ta harrojmë, ne në fushën tonë themi se grupet më demografike në jetë janë grupet e shoqërisë ose bashkëmoshatarët.

Sepse ato janë grupe që karakterizohen nga të njëjtat, në kuptimin nga të njëjtat pasione, nga të njëjtat kërkesa për jetën, nga të njëjtat shqetësime. Mirëpo ne po shikojmë që pabarazitë sociale në shoqëri po krijojnë dashe pa dashje edhe një konflikt në radhët e të miturve. Diku rritet shumë trishtimi, pesimizmi për jetën, diku tjetër shtohet ose jetohet me indiferencën, me përçmimin për më të varfrin, me përçmimin për atë që edhe, që me punë nuk mrrin dot të njëjtin status. Dhe kështu krijohen dashe pa dashje ndasi, të cilat reflektohen, diku shtohet gjuha, ose komunikimi verbal merr një tjetër formë, diku tjetër një fëmijë ose një i mitur vjen edhe ndjehet më i pambrojtur, më i papërkrahur, ndjehet më i pashpresë. Dhe të gjitha këto reflektojnë diku.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco