Lajmi i fundit

LIVE/ Protesta e 16-të kundër Edi Ramës, qytetarët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit

Defekt i rëndë në linjën e ujësjellësit lë pa ujë 9 mijë banorë në Rrëshen dhe fshatrat përreth

15:45, 06/12/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një defekt i rëndë në linjën kryesore të furnizimit me ujë të pijshëm ka lënë pa ujë rreth 9 mijë banorë të qytetit të Rrëshenit dhe disa fshatra përreth në Bashkinë e Mirditës. Dëmtimi ndodhi në orët e para të së premtes, duke shkaktuar ndërprerjen e menjëhershme të furnizimit.

Sipas Ujësjellës-Kanalizime, verifikimet në terren treguan se bëhet fjalë për një dëmtim serioz në një segment prej rreth 85 metrash të linjës kryesore, që kërkon ndërhyrje të specializuar dhe përdorimin e mjeteve të posaçme teknike. Terreni i vështirë dhe moti i keq e kanë bërë ndërhyrjen pothuajse të pamundur në fazën e parë.

Burime nga Shoqëria Rajonale Ujësjellës-Kanalizime Lezhë konfirmojnë se aktualisht mungojnë kapacitetet e plota teknike për të kryer menjëherë riparimin, ndërsa po punohet për sigurimin e asistencës së specializuar për të zgjidhur përfundimisht situatën.

Gjatë ditës së sotme, përmes zgjidhjeve të përkohshme teknike, është arritur të rikthehet furnizimi i pjesshëm me ujë për qytetin e Rrëshenit, por disa fshatra vijojnë të mbeten totalisht pa ujë të pijshëm.

Emergjencat Civile pranë Prefekturës së Lezhës bëjnë me dije se situata është në monitorim të vazhdueshëm dhe se po punohet për rikthimin sa më të shpejtë të furnizimit normal për të gjitha zonat e prekura.

Banorët ndërkohë mbeten në pritje dhe në pasiguri, teksa mungesa e ujit të pijshëm po rëndon jetën e përditshme të komunitetit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco