Situata mbetet alarmante në zonën e “Urës së Murrashit” në Librazhd, ku reshjet intensive të orëve të fundit kanë rritur ndjeshëm nivelin e lumit Shkumbin, duke rrezikuar seriozisht përmbytjen e banesës së shtetases Gjylije Murrashi.
Sipas njoftimit nga sektori i Emergjencave Civile të Bashkisë Librazhd, rritja e menjëhershme e prurjeve ka vënë në rrezik të drejtpërdrejtë familjen, e cila është udhëzuar të evakuohet tek të afërmit deri në stabilizimin e situatës.
Por problemi kryesor, sipas verifikimeve në terren, nuk lidhet vetëm me reshjet: shkaku kryesor është hedhja e inerteve në të dy anët e lumit nga firma që po ndërton segmentin e ‘Korridorit 8’, duke ngushtuar shtratin e Shkumbinit dhe duke rritur rrezikun e përmbytjeve.
Burime lokale konfirmojnë se Bashkia Librazhd ka kontaktuar administratorin e firmës, duke ngritur shqetësimin urgjent për situatën që po krijohet si pasojë e punimeve të pakontrolluara.
Ndërkohë, banorët e zonës janë të tronditur, pasi rreziku i përmbytjes është real dhe i menjëhershëm, ndërsa presin ndërhyrje konkrete për të shmangur dëme më të mëdha.
FOTO GALERI





© SYRI.net