Reshjet e dendura shkaktojnë përmbytje në fshatrat e Krujës, rrezikohen sipërfaqe të mëdha bujqësore

08:57, 18/11/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Në ultësirën e Bashkisë Krujë paraqitet situatë problematike si pasojë e reshjeve intensive të shiut. Zonat më të prekura janë fshatrat Bilaj, Murqinë, Mallkuç dhe të tjerë përreth, ku sipërfaqe të mëdha tokash të mbjella janë mbuluar nga uji që po rritet çdo minutë.

Sipas banorëve, uji i kanaleve kulluese, të cilat prej vitesh nuk kanë funksionuar siç duhet, ka dalë nga shtrati për shkak të pamundësisë për të rrjedhur drejt lumit. Për pasojë, janë përmbytur tokat e mbjella, duke rrezikuar dëme të mëdha në bujqësi.

Niveli i ujit ka arritur në pika alarmante dhe nëse reshjet vijojnë me të njëjtin intensitet, rrezikohet që, përveç tokave bujqësore, të përmbyten edhe biznese dhe banesa pranë zonave të ulëta.

Banorët shprehen se shumica e kanaleve kulluese nuk janë pastruar prej dekadash, janë të mbuluara nga vegjetacioni dhe të bllokuara totalisht, duke e bërë situatën edhe më kritike.

Autoritetet lokale pritet të ndërhyjnë në terren, ndërsa rreziku mbetet i lartë nëse reshjet e shiut nuk bien në intensitet.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco