Këshilltarët e opozitës në Bashkinë e Tiranës kanë paralajmëruar se do të kërkojnë një seancë të posaçme dëgjimore për të hedhur dritë mbi një skandal të dyshuar në lidhje me menaxhimin e fondeve për kafshët e rrugës. Sipas tyre, paratë e taksapaguesve, të destinuara për kujdesin dhe mirëmbajtjen e strehës së kafshëve, janë shpërdoruar për helmimin dhe vrasjen e tyre.
Përballë këtij kombinimi të "politikës makabre" dhe korrupsionit, opozita do të kërkojë llogari nga drejtuesit përgjegjës për të zbardhur se ku kanë përfunduar fondet publike dhe pse ato nuk janë përdorur për qëllimin e tyre, që është mbrojtja dhe përkujdesja ndaj kafshëve, thotë Keda Kaceli, këshilltare në bashkinë e Tiranës, e ftuar në emisionin 'Kafe Shqeto' në Syri Tv.
Keda Kaceli: “Ne si këshilltarë, të Këshillit Bashkiak, domethënë si këshilltarë të opozitës, do kërkojmë një seancë dëgjimore me drejtoreshën e për të kërkuar llogari. Në radhë të parë ç'po ndodh dhe mbi të gjitha ku shkojnë fondet, për çfarë shërbejnë fondet e bashkisë. Pra janë, fondet vijnë nga taksat e qytetarëve. Pra si i shpërdorojnë...”
Gazetari: Është problemi jo vetëm te politika makabër, por dhe te vjedhja pastaj.
Keda Kaceli: Hyn gjithçka në skemat e korrupsionit që jemi mësuar tashmë t'i shohim. Padyshim duhet kërkuar llogari për mënyrën se si fondet shpërdorohen dhe se si përdoren. Në vend se të përdoren pikërisht për mbarëvajtjen e strehës, mirëmbajtjen e përkujdesin ndaj kafshëve, këto u përdorkan dhe u shpërdorokan për t'i helmuar ato dhe për t'i vrarë ato.
Ngjarja aktuale është krahasuar me një precedent të dhimbshëm dhe të errët nga historia e diktaturës komuniste në Shqipëri. Bëhet fjalë për historinë e qenit Tart, i cili u ekzekutua me varje në kampin e tmerrshëm të Spaçit pas revoltës së të burgosurve politikë në vitin 1973
“Kur kafshët nuk i shërbejnë regjimit, ato kthehen në armiq të regjimit. Ne kemi shumë histori gjatë komunizmit. Më e famshmja është historia e qenit Tart që u var në kampin e Spaçit për kryengritjen e majit të 73-shit.
Është dënuar me varje nga gjyqi ushtarak i kampit pas revoltës së Spaçit. Sepse Tarti, që ishte qeni besnik i kampit dhe besnik i të burgosurve politikë, i shoqëronte ata nga miniera deri në kamp çdo ditë dhe ata e kishin ushqyer, e kishin marrë të vogël dhe e kishin ushqyer dhe e mbanin, ishte qeni i tyre. Kur Pal Zefi, një nga kryengritësit kryesorë të revoltës, po goditej nga efektiv Aliu qeni i sulet. Të burgosurit, le të themi, entuziazmohen dhe krijojnë frymën e kryengritjes.
Ky paralelelizëm historik përdoret për të ilustruar një dimension ideologjik të mizorisë ndaj kafshëve. Skandali i helmimit të qenve në Tiranë, përtej akuzave për vjedhje dhe shpërdorim detyre, ngre shqetësimin se një mentalitet i tillë shtypës po gjen terren edhe sot, duke i kthyer fondet e qytetarëve në mjete për të kryer akte mizore.
© SYRI.net