Mungesa e mbikalimit në rrugën nacionale Gjirokastër–Tepelenë po rrezikon këmbësorët nga aksidentet. Segmenti më kritik është pranë Urës së Kardhiqit, ku kanë ndodhur shumë aksidente me pasojë vdekje. Banorët, por edhe nxënësit, thonë se kalimi në këtë aks është i rrezikshëm dhe kërkojnë vendosjen e një mbikalimi për këmbësorët.
Në vendin e quajtur Ura e Kardhiqit, në rrugën nacionale Gjirokastër–Tepelenë, mungesa e mbikalimit për këmbësorë paraqet një rrezik serioz për jetën e banorëve dhe nxënësve. Në këtë segment të rrugës kalojnë çdo ditë nxënës të Shkollës së Mesme të Bashkuar “Bilal Golemi”, si edhe banorë që duhet të kalojnë rrugën për arsye të ndryshme.
Shumë prej tyre detyrohen të kalojnë rrugën në sinjalistikën e këmbësorëve, duke rrezikuar jetën në një rrugë me trafik të dendur dhe mjete me shpejtësi të lartë. Në këtë vend janë regjistruar dhjetëra aksidente, duke reflektuar nevojën urgjente për masa sigurie, përfshirë ndërtimin e një mbikalimi për këmbësorë, për të mbrojtur jetën e komunitetit.
© SYRI.net