SYRI TV/ Leskoviku mes braktisjes e bukurisë natyrore, dikur i populluar, sot gjen vetëm pensionistë

14:03, 16/11/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Dikur një nga zonat më të populluara dhe të frekuentuara në juglindje të vendit, sot qyteza e Leskovikut duket e braktisur. Edhe pse një zonë me bukuri të shumta natyrore, kjo qytezë është braktisur nga pjesa më e madhe e popullsisë, sidomos nga të rinjtë, ndërsa aty gjen vetëm disa pensionistë. Ata pak banorë që ende jetojnë aty shprehen se edhe investimet e kryera janë pa cilësi dhe shpesh abuzive, ndërkohë që mungojnë edhe strukturat akomoduese për turistët.

Leskoviku, qyteza në juglindje dhe pjesë e Bashkisë Kolonjë, dikur ka pasur një popullsi të madhe, por sot është e mbushur kryesisht me të moshuar. Shpopullimi dhe braktisja nga të rinjtë tregojnë humbjen e shpresës për zhvillim. Banorët thonë se investimet e kryera ndër vite, nga pedonalja te ujësjellësi e shkolla, janë me cilësi të dobët dhe shpesh të shoqëruara me abuzime, pa sjellë ndryshime reale në jetën e tyre.

Edhe pse turistët e shumtë që kalojnë në zonë përmenden si shenjë zhvillimi, Leskoviku nuk përfiton prej tyre, pasi mungojnë strukturat akomoduese dhe investimet turistike. Klima e freskët, natyra e jashtëzakonshme, Llixhat e Sarandoporit dhe liqeni termal nëntokësor mbeten të pashfrytëzuara.

Ekonomia vendore, dikur e bazuar në vreshtari, bujqësi dhe bimë medicinale, sot është e paralizuar.

Leskoviku ka potencial të madh, por pa investime serioze dhe pa mbështetje për komunitetin, rrezikon të mbetet një qytezë e bukur, por e harruar.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco