Qyteti i Peqinit përballet me shpopullim dhe mungesë të infrastrukturës, ndërsa të moshuarit nuk arrijnë të përballojnë jetesën. Ndonëse në mes të ditës, qyteti i Peqinit duket si një vend i shkrete. Rrugët e zbrazura dhe rrallë mund të shohësh ndonjë të moshuar janë një pasqyrë e largimit të të rinjve nga vendi për shkak të papunësisë dhe ekonomisë së dobët.
Mosha e tretë, që ka mbetur në vend, përballet me vështirësi për të përballuar muajin, si pasojë e pensioneve të ulëta që marrin.
Banorët shprehen se rinia ka ikur totalisht, sepse vendlindja nuk u ofron më asgjë, ndërsa ata që mbeten vuajnë vetminë dhe mungesën e mbështetjes.
Me të ardhurat që marrin nga pensioni, ata thonë se nuk arrijnë të mbulojnë nevojat bazë dhe se shteti nuk bën asgjë për ta.
Rritjet e fundit të pensioneve perceptohen si një tallje, ndërsa për mjekësinë dhe ilacet me rimbursim ata shprehen se janë të detyruar t’i paguajnë vetë.
Përveç qendrës së qytetit, rrugët e lagjeve pranë saj kanë mungesë të theksuar të infrastrukturës.
Banorët të lodhur shprehen se kjo është situata dhe se për ta nuk kujtohet askush. Gjendja është e njëjtë edhe në fshatrat e zonës, të cilat janë shpopulluar thuajse plotësisht.
© SYRI.net