23 vite ‘betejë’ për të marrë shtëpinë e premtuar, pasi u shembën të tyren! Kushtet mesjetare të familjes Gega në Durrës!

22:00, 07/11/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një problem që ka më shumë se dy dekada që nuk merr zgjidhje dhe një familje me 10 anëtarë që kanë mbetur në qiell të hapur, na kanë bërë që të udhëtojmë këtë të premte drejt Shkozetit, në Durrës, për të takuar Sonila Gegën. Kjo e fundit na pret në ndërtesën e përfituar në vitin 2002 nga Bashkia e Durrësit pas prishjes së banesës së saj për shkak të një plani zhvillimi. Por edhe pse kanë kaluar 23 vite, ende nuk ka arritur që ta marrë banesën e premtuar.

Kur themi banesë është pak si shumë në fakt, pasi ajo është një magazinë pa tavan, pa dyer dhe pa dritare, ku u vendos familja në vitin 2002 nga ish-kryebashkiaku i Durrësit, Miri Hoti. Por që nga ai vit e deri më sot që flasim, ende nuk ka mundur të kalojë në emër të kryefamiljarit Armand Gega. Shkaku: burokracitë dhe neglizhenca e institucioneve. Edhe sot e kësaj dite, familja qëndron në kushte mesjetare, me sytë nga shteti, i cili nuk ka lëvizur as gishtin për t’i ndihmuar.

Sonila tregon vështirësitë e vendosjes në atë magazinë, kushtet e rënda dhe, si të mos mjaftonte kjo, pas betejës që ajo kishte me Bashkinë e Durrësit për të marrë shtëpinë që iu premtua, nisin konfliktet me komshiun poshtë saj, i cili, duke shfrytëzuar neglizhencën e shtetit për ta kaluar shtëpinë në emër të Armand Gegës, tenton t’ia marrë. Këtu nis dhe një konflikt që më pas degjeneroi në dhunë fizike mes burrave, e që çoi në pranga burrin e Sonilës dhe më pas në dënimin e tij me 6 muaj burg nga gjykata.

Ndërkohë që sorollatjet nëpër zyrat e institucioneve në Durrës vazhdonin, bashkë me to dhe një “ping-pong” që e dërgonte Sonilën nga një zyrë në tjetrën, por gjithmonë pa zgjidhje. Pasi dëgjuam rrëfimin e Sonilës, u nisëm të takojmë personat përgjegjës të kësaj sorollatjeje që ka zgjatur plot 23 vite. Por për çudinë tonë, të gjitha institucionet vendosën të tregohen bashkëpunuese dhe të gatshme për të zgjidhur një problem që kishte 23 vite që flinte në zyrat e tyre.

Pasi morëm zotimin e përgjegjëses së Zyrës së Strehimit në Bashkinë e Durrësit, Diana Mandia, dhe të drejtoreshës së Entit Kombëtar të Banesave, dega Durrës, Jolanda Mustafaraj, donim edhe më shumë siguri, prandaj takuam vetë kryebashkiaken e Durrësit, Emiriana Sako.

Kjo e fundit u tregua e gatshme të shohë me prioritet një problematikë që prej 23 vitesh nuk ka gjetur zgjidhjen. Gjithsesi, familja Gega ka pritur 23 vite për të marrë banesën e premtuar, kështu që do të presim edhe pak ditë sa të marrë formë korrespondenca e institucioneve. Vetëm se këtë herë Sonila dhe familja e saj nuk do të jenë vetëm, pasi ne do të jemi me ta.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco