Tensione dhe protesta në fshatin Burimas të njësisë administrative Pojan, ku banorët kanë bllokuar punimet për ndërtimin e linjës së re të ujësjellësit që parashikohet të lidhë Burimasin me fshatin fqinj Zvezdë. Sipas banorëve, punimet kanë nisur në mënyrë të befasishme gjatë natës, pa asnjë njoftim paraprak dhe pa konsultim me komunitetin lokal.
Ata frikësohen se projekti mund të prekë burimet ujore që furnizojnë fshatin, të cilat janë siguruar pas shumë vitesh mungese dhe përpjekjesh.
“Ne kemi vuajtur për vite të tëra për një pikë ujë. Më në fund e kemi siguruar pusin tonë dhe tani duan të na marrin ujin për ta shpërndarë gjetkë. Këtë nuk do ta lejojmë,” – u shpreh Edmond Agolli, kryeplak i fshatit Burimas.
Banorët, të mbledhur pranë vendit të punimeve, kanë ndaluar makineritë dhe punëtorët, duke paralajmëruar se protesta do të vijojë nëse projekti nuk pezullohet. Ata kërkojnë garanci të shkruara nga autoritetet se furnizimi i fshatit me ujë nuk do të preket në asnjë rrethanë.
Një prej protestuesve tha për mediat se ndërhyrja është bërë “fshehurazi” dhe “pa transparencë”:
“Këtu erdhën natën me makineri. Askush nuk na pyeti. Nuk mund të luajnë me burimin e jetës sonë.”
Nga ana tjetër, përfaqësues të ujësjellësit rajonal kanë sqaruar se linja e re nuk do të ndikojë në furnizimin e Burimasit. Sipas tyre, projekti synon krijimin e një lidhjeje rezervë për raste emergjente, pasi të dy fshatrat kanë puse funksionale dhe të pavarura.
“Burimi i ujit të Burimasit nuk do të preket. Lidhja me Zvezdën është vetëm teknike dhe përdoret vetëm në raste emergjente, për të garantuar ujë të pijshëm nëse ndonjë pus del jashtë funksionit,” – deklaruan përfaqësues të ujësjellësit.
Fshati Burimas, me rreth 800 banorë, ka pasur prej vitesh probleme të mëdha me furnizimin me ujë të pijshëm. Në disa raste, banorët kanë dalë në protesta për të kërkuar ndërhyrjen e institucioneve, duke denoncuar mungesën e investimeve dhe neglizhencën e bashkisë.
Banorët thonë se nuk janë kundër zhvillimit të infrastrukturës, por kërkojnë transparencë dhe garanci të plota që uji i tyre nuk do të shpërndahet për fshatra të tjerë.
© SYRI.net