Psikiatri Nel Demi nga Studioja “Kafe Shqeto” tha se qytetarët mbi moshën 60 vjeç përbëjnë një grup veçanërisht vulnerabël, i cili kërkon një vëmendje të shtuar nga shërbimet shëndetësore dhe psikiatrike. Ai thekson se megjithëse janë miratuar plane dhe strategji për mbështetjen e këtij grupi, zbatimi i tyre mbetet shumë i pamjaftueshëm.
Shërbimet e ofruara janë të pakta, si në numër ashtu edhe në cilësi, duke krijuar një boshllëk të dukshëm për qytetarët që kanë nevojë për mbështetje të specializuar.

Problemet bëhen më të theksuara kur marrim parasysh fëmijët, të moshuarit, personat me vështirësi ekonomike apo sociale, si dhe ata që përballen me diskriminim. Në një kohë kur një numër në rritje i individëve mbi 60 vjeç po bëhen pjesë e shumicës së popullsisë, ky grup shpesh anashkalohet në të drejtën për të pasur shërbime dinjitoze dhe të personalizuara.

Të gjithë këta faktorë rrisin vulnerabilitetin dhe predispozitat për probleme të shëndetit mendor, duke përfshirë depresionin dhe ankthin. Sëmundjet fizike që shoqërojnë këtë grup moshës rrisin edhe më tej rrezikun për shfaqjen e çrregullimeve psikologjike.
Për këtë arsye, sipas psikiatrit Nel Demi, rritja e investimeve dhe përmirësimi i cilësisë së shërbimeve të shëndetit mendor janë të domosdoshme për të garantuar mirëqenien dhe dinjitetin e të moshuarve.
Pjesë nga intervista:
"Duke qenë një grup vulnerabël, sigurisht që kërkon një vëmendje të shtuar.
Megjithatë, nga ana tjetër, në bazë të të gjitha planeve apo strategjive që janë miratuar deri më sot, fatkeqësisht shumë pak janë zbatuar.
Le të themi se të gjitha institucionet duhet të kenë një shërbim fiks, të personalizuar psikiatrik apo të shëndetit mendor.
Ata mund të jenë pjesë e shërbimeve që iu ofrohen komunitetit, dhe problemi mund të jetë pikërisht këtu.
Shërbimet psikiatrike apo ato të shëndetit mendor që ofrohen për komunitetin janë të pamjaftueshme, qoftë në numër apo në cilësi, dhe këtu problemi bëhet më i madh.
Po ashtu, janë të përfshirë fëmijët, të moshuarit, personat me probleme ekonomike apo sociale, problemet e diskriminimit, dhe fatkeqësisht, në momentin që një numër në rritje i individëve të cilët për disa vite do të bëhen shumica e popullsisë, janë njerëzit mbi moshën 60 vjeç, ata anashkalohen edhe në të drejtën për të pasur shërbime dinjitoze.
Të gjithë këta faktorë bashkë shkaktojnë një vulnerabilitet të shtuar dhe në këto moshë problemet janë kryesisht të depresionit apo ankthit. Shto këtu edhe sëmundjet fizike, të cilat sigurisht rrisin probabilitetin e fillimit të problemeve të shëndetit mendor".
© SYRI.net