Miliona euro të taksapaguesve në Fier kanë shkuar dëm për shkak se tregu që u ndërtua nga bashkia ka funksionuar vetëm një ditë, atë të inaugurimit. Ndërsa shpopullimi dhe rënia e fuqisë blerëse kanë bërë që edhe tregjet ditore të jenë në krizë të thellë, tregtarët shprehen se nuk janë në dijeni se ku është tregu i gjësë së gjallë.
SYRI TV:
Miliona euro të investuara për ndërtimin e Tregut Rajonal të gjësë së gjallë në fshatin Mbrostar të Fierit kanë shkuar dëm. Tregu, i ndërtuar me fonde publike dhe ndihmën e kompanisë TAP, që kontribuoi me 350 mijë euro, pritej të ishte një qendër e madhe tregtie për blegtorët e rajonit.
Përveç ditës së inagurimit, në prag fushate elektorale, ai nuk ka funksionuar asnjë ditë më pas.
Sot, gjëja e gjallë vazhdon të shitet rrugëve e trotuareve të Fierit, kryesisht në lagjen “1 Maj”, si dikur ndër vite.
Dështim po përjeton edhe Tregu Ditor i Bashkisë Fier, ndërtuar me 55 milionë lekë të reja nga taksat e qytetarëve, në kuadër të programit të Rilindjes Urbane.
Në vend të 120 tregtarëve të parashikuar, sot janë aktivë vetëm 10.
Tregjet që duhej të ishin qendra zhvillimi, sot janë simbol i dështimit të investimeve publike, ndërsa miliona euro të hedhura kanë mbetur pa dobi, në godina bosh.
© SYRI.net