Lajmi i fundit

TASK FORCE/ Protesta, Edi Rama humb mandatin e parë

Tre të ‘fortë’ bllokojnë rrugën e varrezave, Kelmendi nuk i bën dot varrin vëllait/ Halim Ferzaj kërcënon: Po kalove...

22:13, 10/10/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Jemi në Drizar të Mallakastrës, aty ku tre vëllezër, Halim, Zagor dhe Pëllumb Ferzaj, kanë marrë përsipër të jenë vetë shteti në fshat, pasi kanë bllokuar në mënyrë të paligjshme rrugën që të çon në varrezat e fshatit, duke nxitur një konflikt që ka degjeneruar edhe në përplasje fizike, sharje dhe kërcënime mes tyre dhe Kelmend Tenajt. Ky i fundit jeton në Itali dhe ka udhëtuar shpeshherë nga atje drejt Mallakastrës me shpresën se do të gjejë zgjidhje.

Situata u agravua më shumë, pasi vëllai i Kelmendit ndërroi jetë dhe duhej marrë leje tek tre vëllezërit për të kryer nderimet, ndërsa akoma më e rëndë situata është bërë tani, ku prej ditësh, Kelmendi dhe familjarët e tij nuk mund të bëjnë dot varrin e të ndjerit që bën 1-vjetorin e vdekjes, pasi rruga është e bllokuar dhe Halim, Zagor dhe Pëllumb Ferzaj nuk lënë makinën të kalojë, duke bllokuar rrugën.

Makina që do të sillte materialet për të bërë varrin ngjitet dhe zbret disa herë nga varrezat pa mundur të kryejë punë, ndërsa, siç shprehet Kelmendi, institucionet nuk bëjnë asnjë lëvizje në këtë situatë. Vetëm një herë, kur vetë Këshilli Bashkiak, me urdhër të kryetarit Qerim Ismailaj, ka hapur rrugën, por jo për shumë gjatë, pasi ‘’tre agallarët’’ e fshatit e kanë bllokuar sërish, duke kryer një vepër penale, por fatkeqësisht duke ia hedhur paq.

Ne takojmë drejtorin e Policisë Bashkiake, i cili është i ndërgjegjshëm që është shkelur ligji, por shprehet i pafuqishëm të zgjidhë situatën, pasi e para, Policia Bashkiake sipas tij nuk ka aq shumë efektivë sa për t’u marrë me çdo rast, dhe e dyta, duhet t’i drejtohemi Prokurorisë, pasi kemi të bëjmë me një vepër penale të përsëritur. Në fund, u shpreh i gatshëm t’i jepte fund konfliktit, por nuk e mbajti fjalën.

Po Bashkia Mallakastër çfarë roli ka në këtë mes?! Për këtë pyetëm kryebashkiakun Qerim Ismailaj, por fatkeqësisht u përballem me arrogancë dhe mungesë përgjegjësie nga ai që është votuar nga qytetarët për të zgjidhur problemet, që në këtë rast kanë ardhur nga mosfunksionimi i shtetit. Pavarësisht debateve dhe diskutimeve, pasi nuk ishin në kushte normale me zotin Ismailaj, për shkak se ai ishte në karrigen e tij brenda zyre, ndërsa ne kishim oficerin e Policisë Bashkiake, i cili na mbante me forcë që në asnjë mënyrë të mos futeshim në zyrën e kryebashkiakut.

Ky i fundit e dha një zotim në fund, por ashtu si edhe drejtori i Policisë Bashkiake, nuk e mbajti fjalën, pasi Kelmendi shprehet se rruga ende nuk është hapur, ndërsa ende nuk dihet se çfarë është bërë me dosjen e tij në Prokurori.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco