Mungesa e mbështetjes nga shteti ka bërë që vit pas viti shumë fermerë të falimentojnë, duke hequr dorë nga kultivimi i frutikulturave të ndryshme. I tillë është edhe rasti i 80-vjeçarit Ëngjëll Peshkëpia nga fshati Visokë i Mallakastrës, i cili merret me kultivimin e lajthisë. Por, pavarësisht humbjeve të mëdha të këtij viti, ai nuk heq dorë nga kujdesi për plantacionin e tij me jetëgjatësi 100-vjeçare, të cilin e ka trashëguar nga gjyshi. Sipas tij, për herë të parë këtë vit, lajthia nuk ka dhënë fruta.
Një plantacion i vjetër me lajthi, që numëron plot një shekull jetë, në fshatin Visokë pranë lumit Gjanica, këtë vit ka mbetur pa asnjë prodhim. Fermeri Ëngjëll Peshkëpia, 80 vjeç, tregon me dhimbje se për herë të parë në 100 vjet, lajthitë nuk dhanë fruta.
“Në vitin më të mirë, 2020, kam marrë deri në 25 kuintalë lajthi. Këtë vit mora vetëm 3 kuintalë... ose më saktë, asgjë. Dola me humbje të plotë.”
Peshkëpia, i cili punon ende çdo ditë në pronat që rimori pas viteve ’90, kujdeset vetë për 11 dynymë tokë me lajthi dhe drurë frutorë. Por moti i keq i marsit e shkatërroi gjithë punën e një viti.
“Në mars ra një stuhi e fortë breshëri. U goditën pemët që në lule. As ullinjtë, as hurmat, as dardhat, qershitë apo lajthitë nuk dhanë prodhim. Dola me humbje. Katastrofë!”
Fermeri tregon se punëtorë angazhon vetëm gjatë javës së vjeljes dhe i paguan 2.500 lekë të reja dita, por gjithë pjesën tjetër të punës e kryen vetë, pavarësisht moshës.
“Të gjitha shërbimet i bëj vetë. Dola me humbje rreth 2 milionë lekë.”
Fermeri 80-vjeçar ka sfiduar moshën duke iu përkushtuar frutikulturës dhe pronës së tij mbi 100-vjeçare që ia ka lënë gjyshi, ndërsa nga shteti subvencion ka marrë vetëm një herë 10 mijë lekë të reja.
© SYRI.net