Paskal Nesturi thotë se prej vitesh është i penguar të ushtrojë të drejtën e tij mbi pronën e familjes në Palasë të Himarës.
Sipas tij, 1,100 m² të parcelës i janë marrë në mënyrë të padrejtë, ndërsa atij i kanë lënë vetëm 900 m² , sipërfaqe që sipas tij, mjafton vetëm për qarkullimin e njerëzve dhe ruajtjen e pikës turistike të zonës.
Nesturi akuzon se këto ndërtime mbi tokë janë kryer me ndërmjetësimin e personave të afërt me pushtetin qendror dhe vendor dhe se Prokuroria e Vlorës po mbron subjektet e përfshira.
Ai thotë gjithashtu se disponon dokumentacion hipotekor që vërteton se prona i përket familjes së tij, askujt tjetër.
Në një denoncim për Syri TV, Nesturi raporton se në një parcelë tjetër prej 22 hektarësh prona i përkiste gjyshit të tij, por është marrë padrejtësisht dhe shpërndarë më pas për interesa të paligjshme.
Ai thotë të ketë qenë i “sorollatur” nëpër zyrat e shtetit që nga viti 1994 pa gjetur zgjidhje, ndërsa toka me hipotekë mbetet jashtë zotërimit familjar për shkak të ndërhyrjeve dhe dhënies së pronës për qëllime të dyshimta “publike”.
Nesturi shton se i janë kërkuar miqve të personave në pushtet që të “marrin” pronën nën pretendimin se e do bashkia dhe se në praktikë prona po kalon te privatë me lidhje me pushtetin.
Ai kërkon rikthimin e tokës, kompensim të drejtë ose hetim të plotë të çështjes.
"Unë, Paskal Nesturi, jam pronar i një toke në Palas. Më janë marrë 1,100 metra katrorë dhe më kanë lënë vetëm 900 m², duke cenuar pjesën që i takon familjes sime dhe interesit publik për zonën turistike.
Denoncoj se këto ndërtime mbi tokën janë kryer me ndërmjetësimin e personave të afërt me z. Edi Rama, dhe se Prokuroria e Vlorës po mbron subjektet e përfshira. Kam dokumentacion hipotekor që dëshmon se prona i përket familjes sime, jo Ramës.
Gjithashtu, në një tjetër parcelë prej 22 hektarësh, prona i përkiste gjyshit tim, megjithatë është marrë padrejtësisht.
Që prej vitit 1994 sorollatemi nëpër zyrat e shtetit pa zgjidhje, ndërsa toka me hipotekë mbetet jashtë zotërimit tonë për shkak të ndërhyrjeve të paligjshme dhe dhënies së pronës për qëllime të dyshimta “publike” nga pushteti vendor. Kërkoj hetim të menjëhershëm dhe rikthimin e pronës në zotërim të ligjshëm të familjes sime, ose kompensim të drejtë.
© SYRI.net