Nisja e shirave gjatë sezonit të vjeshtës risjell problemet e përmbytjeve në qytetin e Durrësit.
800 banorë të zonës së Durrësit të Ri, pas mosreagimit të institucioneve, kanë mbledhur firmat duke kërkuar ndërhyrje urgjente për pastrimin e kanaleve dhe vënien në punë të hidrovorit. Banorët shprehen se ende presin nga bashkia shpërblimin për përmbytjet e një viti më parë.
Më shumë se 800 firma janë mbledhur nga banorët, të cilët kanë hartuar një peticion drejtuar institucioneve vendore dhe qendrore, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme për të parandaluar përmbytjet gjatë sezonit të shirave.
Banorët fajësojnë Bashkinë e Durrësit për përmbytjet e përsëritura në lagjen nr. 17, të cilën e konsiderojnë si zonën më problematike të qytetit. Ata thonë se janë përmbytur dy herë brenda një viti dhe se nuk janë dëmshpërblyer për pasojat. Sipas tyre, shkaku kryesor është mosfunksionimi i hidrovorëve dhe mungesa e pastrimit të kanaleve kulluese.
Problematika e përmbytjeve në zonën e njohur si Durrësi i Ri është pranuar edhe nga Bashkia e Durrësit, e cila ka bërë me dije se janë marrë masa për të përballuar situatat që mund të krijohen gjatë sezonit të shirave.
© SYRI.net